Shkolla e parë për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, përshtypjet e pjesëmarrësve

“Civil Rights Defenders” në Shqipëri zhvilloi projektin “Shkolla për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut”. Në tre muaj intensivë, 18 pjesëmarrësit e kësaj shkolle thelluan njohuritë teorike mbi të drejtat e njeriut, zhvilluan diskutime të hapura mes tyre dhe profesionistëve të ftuar nga bota akademike, institucione, avokatë të të drejtave të njeriut, aktivistë etj.

Shkolla e parë për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, përshtypjet e pjesëmarrësve

Vasilika Laçi, drejtuese e programit të “Civil Rights Defenders” në Shqipëri, ndan me “Historia ime” detaje mbi shkollën e parë për mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Shkolla për mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Shqipëri ka mbledhur rreth 18 të rinj të cilët kanë kaluar në një kurs për të drejtat e njeriut si për njohuri teorike ashtu edhe të aftësimit praktik.

E ndarë në tre tematika, shkolla trajton fillimisht çështje teorike për instrumente të drejtave të njeriut si civile, politike, sociale, ekonomike, kulturore.

Në pjesën e dytë i është kushtuar rëndësi të shkuarës komuniste dhe impakti i saj në të tashmen. Vizita në burgun e Spaçit, në muzeun si “Shtëpia e gjetheve” apo institucione si “Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit në kohën e komunizmit”.

Moduli i tretë i shkollës i cili është zhvilluar gjatë tre javëve të fundit ka qenë të njohurit të kauzave dhe grupimeve të shoqërisë civile që janë të drejtuara nga grupe të ndryshme si për shembull: organizata LGBT, organizata rome, qendra komunitare apo grupime politike sikurse është Organizata Politike”.

Në Shkollën e Mbrojtësve të të drejtave të Njeriut diversiteti nuk ka qenë vetëm në programin e tij, por edhe në prurjen e pjesëmarrësve të regjistruar.

Disa prej këtyre pjesëmarrësve ndanë me “Historia Ime” përvojën e tyre, si u vunë në dijeni për një shkollë të tillë si dhe punën kërkimore që ata do të thellojnë pas eksperiencës së fituar:

“Quhem Ardita Kolmarku, kam përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu kam përfunduar Masterin Shkencor në Të drejtën Penale. Me shkollën e CRD jam njohur nëpërmjet një internshipi që zhvilloja pranë “Komitetit shqiptar të Helsinkit”. Këtë shkollë e pashë si një vend shumë të mirë për të mësuar mbi gjëra që do të më ndihmonin për ti implementuar gjatë karrierës sime. Kjo përvojë më ka dhënë shumë rekomandime të cilat do ti përdor në të ardhmen kur të realizoj një studim më të thelluar për të drejtat e punëtorëve, një kauzë që më shqetëson”.

 

Unë jam Lola, arsyeja pse mora pjesë në këtë shkollë është se jam aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBTI (fokusuar tek personat trans). Shkolla ka qenë gjithëpërfshirëse duke prekur shumë sfera ndaj kam kuptuar se të jesh aktivist për të drejtat njerëzore nënkupton se nuk duhet të jesh i fokusuar vetëm në një sferë, por me shumë sfera të tjera. Personalisht dëshiroj që ta shtrij projektin tim në fushën e punësimit të komunitetit trans, me qenë se dhe trajnimi i sotëm lidhet me punësimin dhe mora disa rekomandime interesante”.

 

Quhem Doris Pasha dhe kam përfudnuar studimet për shkenca politike. U njoha me shkollën nëpërmjet një lajmërimi në Facebook.

Ka qenë një eksperiencë shumë e vlefshme për mua, shkolla ka qenë shumë dinamike. Kemi pasur shumë pedagogë dhe profesionistë në fushën e të drejtave të njeriut, juristë, punonjës socialë etj. Përveç dijeve të marra, kam arritur të krijoj dhe shumë kontakte të personave që kanë interesa të përbashkëta me mua. Kjo mund të jetë dhe një pikënisje për ne që jemi pjesëmarrës në këtë shkollë të CRD”

 

Jam Lirie Dina dhe kam përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Jam diplomuar në Masterin e Shkencave Penale. Aspiroj që një ditë të ushtroj detyrën si prokurore por njëkohësisht më pëlqen advokimi për të drejtat njerëzore. Per shkollën u vura në dijeni nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mu duk shumë interesante sepse ishte hera e parë që dëgjoja për një shkollë të kësaj natyre, për mbrojtësit e të drejtave të njeriut, si dhe duke qenë një fanatike e të drejtave të njeriut, vendosa të aplikoj.

Të ardhmen e shoh të lidhur me advokimin e të drejtave të njeriut, specifikisht të grave të dhunuara, të të gjitha grave e vajzave që nuk janë të lira e të barabarta në gëzimin e mundësive si gjinia tjetër, të shtresave të margjinalizuara e të shtypura jo vetëm nga fati i tyre por edhe nga qeniet e barabarta me to”.

 

Quhem Kluas Bardeli. Kam përfunduar Masterin Shkencor në Fakultetin e Drejtësisë, në degën Kushtetuese-Administrative. Aktualisht punoj si gazetar prej tre vitesh. Jam një aktivist për të drejtat e njeriut dhe loboj me aq mundësi sa kam në media. Për shkollën e CRD u njoftova në internet dhe vendosa të aplikoj duke parë se në Shqipëri kjo fushë është dinamike meqenëse të drejtat shtypen.

Përvoja tek kjo shkollë më ka mësuar mënyrën se si mund të përmirësojmë këtë situatë, ku të gjitha shtresat vulnerabël ta gjejnë veten në këtë shoqëri ku jetojmë”.

 

Unë jam Çesilia Rexha, kam përfunduar studimet universitare për degën Punë sociale. Për shkollën e të drejtave njerëzore jam njoftuar nëpërmejt faqes “Historia Ime”. Sapo e pashë u entuziasmova dhe aplikova direkt pasi çështja e të drejtave të njeriut ka qenë një ndër pasionet e mia.

Të gjitha pritshmëritë që kisha u përmbushën, programi ishte intensiv dhe nëse do të më jepej mundësia do ta rindiqja”.

Shkolla do të finalizohet me punën praktike dhe atë individuale që pjesëmarrësit e kësaj shkolle do të zhvillojnë në disa tema aktuale të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

/k.m/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest