Njerëzit që akoma besojnë se Shqipëria mund të ndryshojë

* Nga Kristi Pinderi

Në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë kanë paraqitur kandidaturat për pozicionin e Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi 16 vetë, të cilët, me dy ose tre përjashtime, nuk plotësojnë kushtin themelor për tu zgjedhur në këtë post të sanksionuar në nenin 24 të ligjit për mbrojtje nga Diskriminimi.

Ky nen kërkon që drejtuesi i institucionit të ketë kryer veprimtari të shquar në fushën ligjore ose të të drejtave të njeriut.

Përveç drejtueses së organizatës për personat që jetojnë me HIV, e cila ka një histori të gjatë të luftës dhe përpjekjeve për të mbrojtur të drejtat e komunitetit që përfaqëson, dhe përveç avokates të Komitetit shqiptar të Helsinkit, gjithë të tjerët janë ose krejt të panjohur ose thelbësisht të pa përfshirë në asnjë punë apo përpjekje në komunitetet e tyre.

Komisioneres për Mbrojtje nga Diskriminimi, Znj. Irma Baraku e zgjedhur me 70 vota të Kuvendit në shkurt të 2010, i ka mbaruar mandati 3 vjet më parë. Fakti që Kuvendi e ka zgjatur procedurën për zëvendësimin (ose rizgjedhjen) e saj me 3 vjet, – një precedent i rrezikshëm ky për çdo institucion të pavarur, – tregon se sa pak seriozisht e trajton Kuvendi këtë institucion që u ngrit si një përpjekje e çmuar e ndërkombëtarëve dhe e shoqërisë civile lokale për të luftuar diskriminimin.

Po t’i shtosh këtu faktin që ka pranuar të shqyrtojë kandidatura që qartazi nuk kalojnë asnjë parametër ligjor, tregon se jo vetëm që nuk e konsideron seriozisht, por kërkon që ta mbajë në nivelet e një institucioni të lodhur, me drejtues që mundësisht të mos jenë spikatur për asgjë, pa karakter, një institucion pa iniciativë, pa frymë dhe të mbytur nga burokracia.

Të tulatur e të shpërqendruar nga shumëçka, aktivistë të shoqërisë civile u gjendën aq të papërgatitur sa sot gjenden para dilemës se kë të mbështesin dhe a duhet në fakt të mbështesin dikë.

Kur OSBE drejtonte procesin për hartimin e ligjit që do i hapte rrugë ngritjes së këtij institucioni, aktivistët për të drejtat e njeriut ishin, si rrallë më parë, të bashkuar dhe të vendosur që ta shndërronin këtë institucion në një histori suksesi. Sot janë të hallakatur, për fat të keq, e të pa interesuar.

Unë mendoj se në krye të atij institucioni duhet të vijë dikush që e urren burokracinë, sepse do më shumë njerëzit. Besoj se në atë pozicion duhet të zgjidhet dikush që ka energji dhe mençuri të tejkalojë burokracinë dhe ti konsiderojë ligjet si mjete për të punuar dhe jo si pengesa. Profili i akademikut apo i juristit që i shikon ligjet si qëllim dhe jo si mjet, nuk bën për atë punë, ashtu siç nuk bën as profili i zyrtarit të panjohur që do mbytet nga letrat dhe pesha e rëndë e institucionit që javën e parë.

Komisioneri i ri duhet të jetë një individ që mjetet ligjore i përdor maksimalisht, që kur mundet i ndryshon pse jo, i përmirëson dhe i rikoncepton në atë mënyrë që t’i shërbejnë punës për të rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen nga diskriminimi e për të ndëshkuar atëherë kur duhet, këdo që nuk pranon të trajtojë njerëzit me dinjitet. Ligjet janë mjete që duhet të na ndihmojnë e jo të na burgosin në pamundësi.

Për fat të keq, këtë herë ka shumë pak mundësi zgjedhjeje… Një mundësi e humbur që duhet të zgjojë sa më parë ata njerëz që akoma besojnë se ai vend mund të ndryshojë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest