Reagimet mbi protestën: Argumentet e Ministrisë së Arsimit përballë atyre të studentëve

IMG_1123

 

Lëvizja studentore “Për Universitetin” zhvilloi dje protestën kundër tarifave studimore të universiteteve. Me qindra studentë marshuan drejt kryeministrisë nën moton “Universiteti s’është biznes, dija s’është mall” dhe i parashtruan qeverisë katër kërkesa konkrete.

Nuk ka vonuar dhe replika nga Ministria e Arsimit, e cila në reagimin e saj në rrjetet sociale ka hedhur poshtë pretendimet e studentëve në katër kërkesat kryesore. Në deklaratë Ministria thekson se tarifat janë të njëjta që prej katër vitesh.

Më poshtë gjenden argumentimet e Minsitrisë përballë kundërargumenteve të aktivistit Arlind Qorri nga lëvizja “Për Universitetin”:

Ministria:
1.Nuk ka rritje tarifash për nivelin e parë të studimeve, ato janë të njëjta të paktën 4 vitet e fundit për studentët në universitete publike. Por gjithsesi në kuadër të autonomisë universitare këto tarifa nuk vendosën më nga qeveria por nga vetë universitetet. 

Për Universitetin:“Në fakt, neni 7, pika f e ligjit të arsimit të lartë thotë se me propozim të Ministrisë Këshilli i Ministrave vendos për tarifën maksimale të studimeve. Pra qeveria vendos tavanin, i cili mund të jetë sa një shtëpi qerpiçi ose sa grataçelat e Veliajt. Qeveria anon nga alternativa e dytë.

Përveç kësaj, në vitin 2014 kjo qeveria ka miratuar rritje tarifash në universitetet publike që kanë shkuar nga 11% në 39%, sa shumë e shumë vite akademike të bëra bashkë.
Nga ana tjetër, sipas ligjit të arsimit të lartë, të iniciuar nga po kjo qeveri dhe votuar nga parlamenti i të njëjtës shumicë parlamentare, është vendosur që fondet në mbështetje të arsimit publik të shkojnë edhe për financimin e universiteteve private (fitimprurëse ose jo), çka do të thotë ulje e mbështetjes financiare për universitetet publike dhe rritje e pritshme e tarifave.”

 

Ministria:

2. “Çdo universitet vendos vetë politikat që ndjek për sa i përket studentëve ngelës, të cilët nuk paguajnë tarifë të dyfishtë kur ngelin dhe përsërisin vitin. Por në rast të mos marrjes së një provimi disa herë, gjë e cila shton koston për universitetin, aplikohet një tarifë minimaliste që e vendos universiteti. Studentët që nuk performojnë nuk mund të kthehen në kosto për studentët që dëshirojnë të përfundojnë studimet.

Për Universitetin:Në fakt, me vendim të Këshillit të Ministrave të datës 15.10.2014, i cili nuk është shfuqizuar asnjëherë, studentëve që mbartin provimet në ciklin master u duhet të paguajnë dyfishin e tarifës për kredit. Në shumë degë kjo nënkupton se një student që mbart qoftë edhe një provim pas dyvjeçarit të studimeve duhet të paguajë 10.000 lekë të reja ose më shumë”.

 

Ministria:

“3.Certifikimi i gjuhës së huaj nga institucionet ndërkombëtare vetëm për nivelin ‘master shkencor’ është vendosur që në vitin 2010. Certifikimi i gjuhës së huaj nga institucionet ndërkombëtare është parë si mundësi që çdo student që diplomohet të jetë konkurrues në tregun e punës jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij, dhe për të pasur aftësi më të mira ndërveprimi.”

Për Universitetin: “Ligji i arsimit të lartë i 2015, në nenin 79, pika 4, e ka rivendosur kushtin e certifikimit të gjuhës së huaj për ndjekjen e studimeve master (shkencor). Në dy udhëzime të saj – nr. 52, 03.12.2015 dhe nr. 5 06.02.2017 – Ministria e Arsimit ka rivendosur kriteret e mbrojtjes së gjuhës së huaj në institucione private, për të cilat mijëra studentë paguajnë qindra mijëra euro në vit (në mos më tepër)”.

Ministria:

“4.Vendimmarrja për godinën e fakultetit Gjeologji- Miniera i përket vitit 2014 nga qeveria ku ndër të tjera studentëve u është premtuar se do të jenë pjesë e godinës”.

Për Universitetin: “Me vendim të kësaj qeverie të datës 05.11.2014 është vendosur që godina të kalojë në administrimin e Ministrisë së Drejtësisë për të zhvendosur aty Gjykatën e Lartë. Deri më tash ky vendim nuk është prapësuar dhe studentët dhe pedagogët gjenden përpara presionit të vazhdueshëm se do t’i zhvendosin në Sharrë ose prapa diellit”.

/k.m/

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest