Studentët në protestë për tarifat:”Universiteti s’është biznes, dija s’është mall”

FI

Qindra studentë nga fakultete të ndryshme të Tiranës u mblodhën sot në sheshin Nënë Tereza për të protestuar kundër tarifave të larta studimit.

Pjesëmarrësit në protestën e organizuar nga lëvizja studentore “Për Universitetin”, marshuan në Bulevard drejt Kryeministrisë mes thirrjeve për ulje të tarifave dhe arsim publik falas.

Me pankarta në duar ku shkruhej “ulni tarifat”, “as veshka s’ma përballon tarifën”, “Sudja e Arsimit”, “Students against Mafia”, studentët kërkuan lehtësimin nga barrat financiare në fakultete.

Ashtu si ishte paralajmëruar, në protestë u paraqitën këto katër kërkesa konkrete drejtuar qeverisë:  

  • Të përgjysmohen tarifat studimore në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve
  • Të hiqet barra financiare për certifikimin e gjuhës së huaj
  • Të hiqet pagesa dyfish e krediteve për provimet e mbartura
  • Të rikthehet për studentët godina historike e Fakultetit Gjeologji Miniera

Foto: Protesta studentore kundër tarifave

 

Studentët shprehen se shpesh e kanë të pamundur të studiojnë pasi tarifat e larta të studimit i detyrojnë të punojnë me orë të zgjatura për të përballuar kostot. Duke shtuar barrën e pagesave shtesë si certifikimi i anglishtes, kostoja e dyfishtë për kreditet e mbartura apo pagesat për vërtetime të ndryshme, shpenzimet bëhen të papërballueshme.

Historia Ime intervistoi disa prej studentëve pjesëmarrës në protestë:

20180124_114541

“Jam student i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në degën e frëngjishtes. Po protestoj për arsye ekonomike, për uljen e tarifave të shkollës. Në vende të tjera tarifa është e ulët dhe kushtet më të mira. Tarifat i kemi si në Amerikë, ndërsa kushtet si në Afrikë”, tha për Historia Ime Endri Begaj.

 

 

20180124_114715

“Kemi dalë këtu sot, pas shumë e shumë tryezave të organizuara në Universitete, ku jemi mbledhur dhe kemi nxjerrë në pah çështjet kryesore që na shqetësojnë. Sot kemi mbështetjen e shumë studentëve dhe besoj se masiviteti i protestës do të sjellë rezultat”, tha një prej studentëve.

 

20180124_114956

“Vij nga Fakulteti i Drejtësisë dhe arsyeja pse ndodhem në protestë është për uljen e tarifave shkollore duke qenë se prindërit e mi nuk kanë mundësi për të paguar tarifën. Tarifa është shumë e madhe krahasuar me rrogat e prindërve të mi. Në pamundësi për të vazhduar fakultetin unë jam këtu për të kërkuar që tarifat të ulen”, tha për Historia Ime Nivana Myrtaj

 

Video nga protesta studentore kundër tarifave: 

“Të vetëdijshëm se kërkesat tona janë të drejta dhe se për realizimin e tyre çdo sakrificë është sa e drejtë, aq edhe detyrim qytetar shprehim vendosmërinë tonë që në rast të mos plotësimit të tyre të përshkallëzojmë aktet kolektive të rezistencës”, thuhet në komunikatën e lëvizjes “Për Universitetin” të lexuar nga një prej aktivistëve.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest