Unë dua të jem vetja!

Do ishte e udhës të prezantohesha, ashtu siç e kërkojnë rregullat e mirësjelljes, por nuk kam guxim ta bëj këtë. Jam e bindur që do të mendoni se po lexoni një falsitet, një histori të gënjeshtër. Jo i/e dashur, kjo është historia ime, historia e një lezbikeje që i kalon ditët duke u shtirur për të mos e kuptuar të tjerët se çfarë është, çfarë ndjen. Unë nuk vuaj nga monotonia e ditës si bashkëmoshatarët e mi, vuaj nga mungesa e të paturit një jetë normale, një jetë si e të tjerëve. Më dhemb shumë fakti që gjithë kohës duhet të jem dikush tjetër. Sforcohem, shtirem gjatë gjithë ditës. Po kur vjen nata, kur mbyllem në dhomën time hap portat e shpirtit dhe derdh mbi vete gjithë dhimbjen time për një tjetër ditë që kaloi me gënjeshtra, frikë, vetmi. Ju e keni të lehtë të më paragjykoni, tani me siguri po thoni me vete: “E pse jeton me frikë, pse e ke të nevojshme të tregosh se çfarë je, vazhdo hiqu si dikush tjetër, bëj jetë të dyfishtë”.
Do ju përgjigjem, por më parë do t’ju prezantoj me frikën time, ankthin që më përndjek çdo sekondë. Unë jetoj me frikë sepse shoh përqark meje shumë dashakeqësi, shoh njerëz që kanë problem të madh jetën time private, njerëz që ende mendojnë se një lezbike është e sëmurë, njerëz që nuk e kuptojnë si ndjehem. Unë kam frikë të flas për atë që jam sepse mund të humbas familjen, shoqërinë, punën.

Familja
Dua të kem dhe unë një jetë, ashtu si ju. Të mos jetoj më me frikën se do më zbulojnë, do më mohojnë, do largohen prej meje si të kisha ndonjë sëmundje ngjitëse. Unë jam njeri njësoj si ju, me të vetmin ndryshim që ti ju jeni të lirë, unë jo. Mua më mungon liria, nuk shprehem dot lirshëm, matem shumë herë për të thënë diçka, më duhet të kontrolloj çdo hap që hedh. S’duhet të ngjall dyshime te njerëzit. Frika më ka paralizuar të gjithën. Netëve, kur s’kam gjumë, mendoj e rimendoj për situatën ku ndodhem. Më pushton një dëshirë rebele për të zbuluar identitetin tim. Më vjen ta ngrij qytetin në këmbë, në mes të natës, për ti thënë që jam lezbike, që dua jetën time, nuk dua më gënjeshtra. Mbaj mend njëherë kur po kaloja një nga këto gjendjet ekzaltuese (dmth po i mbushja mendjen vetes që të rrëfehesha), po mundohesha të përfytyroja reagimet e familjarëve; fytyra të inatosura që më kishin rrethuar me duart drejtuar kundrejt meje dhe me akuzën që po turpëroja familjen. U drodha. Mbështeta kokën mbi jastëk dhe qava derisa më zuri gjumi. Të nesërmen, i gjithë përfytyrimi i një nate më parë m’u duk shumë i largët. Iu riktheva “normalitetit”.

Shoqëria
Edhe me shoqërinë është e njëjta situatë. Asnjë mik/ mikeshë e imja nuk di gjë për orientimin tim. Shoqëria e ngushtë pret që unë “t’ja bëj baam” dmth të gjej një djalë të mirë, e të sistemohem. Po ju rrëfej një episod që më ka ndodhur së fundmi. Më fton një shok për kafe, por që donte të ishim më shumë se shokë. Në bisedë e sipër i bëj të qartë se nuk kisha ndërmend të merresha me jetën sentimentale momentalisht (pasi s’dija ç’ti thoja tjetër). Mikesha ime e ngushtë, më telefonon e më pyet si shkoi takimi me të. Dhe në çastin kur i thashë që mbetëm shokë, jo vetëm që u habit por nisi të më thoshte; “Ai është shumë djalë i mirë, i shkolluar, me punë, shtëpi, makinë, simpatik, i pjekur. Se kuptoj si mund ta refuzoje?!”
Do doja shumë në ato momente ti ulërisja përmes telefonit: “E refuzova sepse jam lezbike! Më pëlqejnë vajzat dhe nuk e shoh jetën time me një djalë përkrah!”
Por heshta. U stepa dhe i mërmërita mbyturazi: “Nuk është tipi im!”

Puna
Edhe në ambjetet e punës ndjehem e frikësuar. Vetëm idea që punëdhënësit do ta marrin vesh që jam lezbike, më tmerron. Do më shohin ndryshe, do humbasin respektin për mua, do më pushojnë nga puna mbase. Puna ime është e tillë që më bën të kem kontakt me njerëz të moshave të ndryshme. Imagjinoj sikur ta marrin vesh për mua, s’do kisha më kurajo të dilja as në rrugë, jo të shkoja sërish në punë.
Po ju rrëfej një episod, të fundit. Para ca kohësh mora vesh që organizohej një party për personat LGBTI. Ndodhesha rastësisht në kryeqytet dhe e kisha me shumë dëshirë të merrja pjesë. Por nga ana tjetër, ndjehesha e frikësuar, trembesha se dikush do më shihte atje dhe të gjithë do e merrnin vesh që isha lezbike. Pas shumë hezitimesh, vendosa të shkoja. Gjatë gjithë festës u bëra paranojake. Çdo fytyrë më dukej e njohur, më bëhej sikur nga çasti në çast do hynte dikush aty dhe do më zbulonte. Partit po i vinte fundi dhe unë rrugën për në vendstrehimin tim, e bëra thuajse me vrap nga frika se mos më ndiqte njeri, mos më kishte pikasur njeri dhe kishte zbuluar që isha lezbike. Dhe më besoni kjo nuk është vetëm historia ime por e çdo lezbikeje, e çdo djali gej, transi, etj.
E pra, siç e shihni unë jetoj me frikë, jetoj e izoluar në guaskën time, dita – ditës po tkurrem e mblidhem. Kam nevojë për hapësirë, për një jetë, për jetën time. Kam nevojë të shoh gjithkënd në sy pa patur frikë se mos zbulohem, kam nevojë të shprehem por s’mundem. Thonë se gjithçka ka kohën e vet, por unë nuk mundem më të pres për diçka që nuk cënon asgjë dhe askënd.
Unë dua të jem vetja!
Nuk dua më shtirje, gënjeshtra!

/Lorela*

Emri i autores është ndryshuar për arsye privatësie.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest