Marshimi i grave nëpër botë

Gratë dolën nëpër rrugët e qyteteve anembanë botës këtë fundjavë, duke festuar arritjet e tyre por duke kërkuar gjithashtu që t’i jepet fund ngacmimeve seksuale dhe për një vend të barabartë në tryezën politike dhe ekonomike.
Në Shtetet e Bashkuara, me marshimet që rastisën në përvjetorin njëvjeçar të marrjes së detyrës së Presidentit Trump, pjesa më e madhe e fokusit ra mbi të.
Por demonstratat erdhën edhe pas një viti rraskapitës për gra që ishin ngacmuar në vendin e punës, në takimet romantike dhe madje edhe gjatë trajnimit për Lojërat Olimpike.
Dhe kështu, kërkesat në SHBA dhe jashtë vendit ishin edhe më të mëdha se ç’ishin kur gratë marshuan një vit më parë.
“Nuk është thjesht kundër Trump-it,” tha Lily Manning, 23 vjeç, e cila po merrte pjesë në një marshim me të ëmën e saj në Paris, përballë Kullës Eiffel, në një të diel të ftohtë e me shi.
Zonja Manning vuri në dukje se lëvizja #MeToo kishte vënë në qendër të vëmendjes të drejtat e grave. “Ne kemi më shumë se një platformë,” tha ajo. “Njerëzit po dëgjojnë.”
Rebecca Park, një 29 vjeçare amerikane që punon në një fondacion të historisë së artit në Paris, tha se kur mori pjesë në marshin e grave të vitit të kaluar, ajo ishte motivuar nga zemërimi dhe trishtimi për zgjedhjen e zotit Trump.
“Këtë herë,” tha ajo, “qëllimi është që t’i kanalizojmë ato ndjenja në diçka produktive”.
Në Londër, Harini Iyengar, një zëdhënëse për Partinë e Barazisë së Grave, ishte mes atyre që marshonin në shi dhe borë. Grupi i saj u themelua vetëm pak vite më parë, por është partia që po rritet më shpejtë në Britani.
“Pankarta ime thotë: “Kemi marshuar për 100 vjet”, sepse edhe pas 100 vjetësh ende nuk kemi arritur vullnetin politik për t’i dhënë fund dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave apo ngacmimeve seksuale në vendin e punës në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ajo.
Një tjetër demonstruese, Hannah Mudd, 19 vjeç, u prek nga fotografitë e marshit të grave në Shtetet e Bashkuara.
“Ishte kaq frymëzuese,” tha ajo. “Unë qava. Solidariteti – të mos qenit vetëm.”/A.A.

This slideshow requires JavaScript.

/nytimes.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest