Po na vrasin o vajza!

vlcsnap-2018-01-21-15h18m25s173

*Nga Marsida Simo

E diela u përgjak si të ishte një ditë e zakonshme e shekullit të kaluar. As në këtë ditë të bekuar, krimi nuk e bëri pushim. Krime të tilla nga injoranca nuk po ndalojnë, por po shtohen si qelizat kancerogjene, bëhen rrugëzgjidhje për disa individë apo pëlqehen dhe imitohen nga të tjerë.

Mbushen mediat me pretendime të fjalës së lirë në këto kohë demokracie, por ne o vajza na mbyllin gojën që kur lindim.

Hesht se je femër, nuk të shkon, s’je ti që duht të japësh mendim!

Na vrasin me shikime kur qeshim me zë të lartë se vajzat e mira nuk bërtasin. Provoni e vishni ndonjë fustan dhe do iu vrasin me ngacmime seksuale. Jo vetëm kaq por më keq se vdekja është përdhunimi. Fundja fajtore jemi ne se i provokojmë djemtë.

Nuk gjykohen ata për mungesë ndërgjegje por copa e vendosur mbi mishin tonë. Vitet kalojnë dhe na duhet të martohemi se gratë nderin e kanë te burri. E nëse mendon se martesa nuk po funksionin na vrasin o vajza se po prishim balancën familjare.

Po kur duam të arsimohemi e të bëhemi inxhiniere, taksiste, pilote?

Na vrasin me përqeshje, se vajzave nuk iu shkojnë këto profesione. Mendojnë se jemi të paafta sepse ne mund të bëhemi veç shtëpiake, edukatore apo infermiere.

Po na vrasin o vajza çdo ditë në heshtje, në cepa shtëpish, pranë vatrës duke gatuar, në oborr duke punuar tokën. Na shfryjnë në fytyrë për kripën e munguar, specat e prishur, apo këmishën e pa hekurosur. Na vrasin kur mbetemi shtatzëne me forcën e idesë që të lindim djem se ndryshe nuk vlen aq shumë mëmësia.

Mos harrojmë vrasjet që po na bëjnë shefat nëpër zyra. Na drejtojnë gishtin tregues që t’ju afrohemi e t’ju hipim në tavolina. Në mënyrë të përsëritur po vritemi çdo ditë në heshtje. Njëkohësisht na vrasin me masat që nuk merren. Mbushin bisedat njerëzit në kafene dhe ngrenë supet në shenjë dorëzimi. Urojnë vetëm që vajzës tyre mos t’i ndodhë.

Po na vrasin o vajza dhe në mes të rrugës ditë të diele. Dhe më keq se vrasja është harresa e qindra vajzave dhe grave që nuk gjejnë dot prehje as në varreza.

*Shkrimi është një reagim ndaj ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në Tiranë: 

Pasditen e djeshme një i ri ka qëlluar për vdekje me pistoletë një vajzë 21 vjeçare dhe më pas veten. Vajza ka humbur jetën në spital ndërsa i riu ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra. Ngjarja ka ngjallur një reagim të gjerë në media dhe në rrjetet sociale për shkak të motivit që e ka shtyrë autorin drejt këtij akti të rëndë.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest