Opinion: Pse 2018-a është viti i grave

41354008_303

Lëvizja #metoo ndezi një debat të zjarrtë mbarë botëror – Që nga thirrja e Oprah Winfrey për të drejtat e grave e deri tek këshilla e Catherine Deneuves për t’u përmbajtur – më në fund një debat për seksizmin, mendon Susanne Lenz-Gleißner.

Dy maskilistë shovinistë më shkundën e më zgjuan –  Donald Trump me thënien e tij vulgare: “Kapi nga vagina. Mund të bësh çdo gjë me to” dhe producenti i Hollywoodit Harvy Weinstein, mbreti i paskrupullt i shpërndarjes së roleve, i cili ndezi debatin e flaktë të #MeToo .

Papritur u bë e qartë dhe e pamundur për t’u anashkaluar: Seksizmi i hapur dhe përbuzja keqdashëse ndaj gruas janë një model i përhapur edhe në botën perëndimore.

E kisha shtypur këtë ndjenjë prej vitesh, si shumë gra të tjera, ishim mësuar tashmë. Ishim inkurajuar shumë nga lëvizja e grave, shumë të inatosura me djemtë e fortë që na ngacmonin paturpësisht, shumë kundër stereotipeve që na mbanin të vogla.

Patti Smith e Nina Hagen – Imazhi i ri i grave

“Pse duhet të përmbush detyrën time si grua? Për ata? Për ty? Për vete? “Nuk kam dëshirë të përmbush detyrën time. Jo për ty. Jo për vete. Nuk kam asnjë detyrim.” Nina Hagen në vitin 1978 tërhoqi vëmendjen time me këngën “Papërshkrueshmërisht femër”, e cila i solli ndjenjat e mia për jetën në kulmin e tyre. Atëherë isha 16 vjeç dhe ndjehesha e elektrizuar.

Nuk do ta harroj kurrë performancën legjendare të Patti Smith në stacionin televiziv gjerman  “Rockpalast” një vit më vonë: një lidere e shkujdesur grupi muzikor me kostum dhe çizme, që këndonte me shumë vetëbesim këngët e saj rebele, bërtiste, pëshpëriste, murmuriste në mikrofon: Një grua që ekspozohej për atë që ishte – e fortë, e vërtetë, e egër.

Hagen dhe Smith dy gra që në fund të viteve 1970, ndryshuan radikalisht imazhin e gruas në Gjermani. Një Gjermani që, deri në vitin 1977, gratë kishin nevojë për lejen e burrit për të punuar.

“Motrat po e bëjnë për vete, për të qëndruar me këmbët e tyre, për të ecur vetë përpara”, Ky himn i fuqishëm i Anni Lenox dhe Aretha Franklin ishte besimi ynë në vitet 80-të.

Ne kishim luftuar për përparimin e gruas, për vende në kopshte, për mbështetjen prindërore e shumë të tjera. Ndjeheshim të emancipuara dhe menduam se kishim mbaruar punë.

Nuk e kuptuam se si u rifutën në lojë modelet e vjetra. Dhomat e lyera rozë pushtuan dhomat e vajzave sërish. Dhe më pas, me suksesin e pamasë që pati emisioi i Heidi Klum  “Germany Next Topmodel” që filloi në vitin 2006, u vunë në pikëpyetje idealet e bukurisë femërore. Revolucioni dixhital nxiti më tej minimin viral të të ashtuquajturës vetëdije e iluminuar.

Një feminizëm më radikal në mijëvjeçarin e ri

Që nga viti 2013 gjendet në YouTube një videoklip që është klikuar afërsisht 1 miliardë herë. Në videoklipin “Wrecking ball”, shihet një Miley Cyrus gjysmë e zhveshur, thatanike. Edhe pse këngëtarja është penduar për këtë klip, shumë më shumë vajza të reja rrinë pa ngrënë, vuajnë nga anoreksia më shumë sot se para 10 vjetësh. Edhe shkrimtarja Laurie Penny që e ka rifreskuar feminizmin radikalisht me titujt e saj si “Treg mishi”, ka vuajtur nga anoreksia në moshën 17 vjeçare. Sot britanikja feministe paraqet mekanizmat patriarkalë që fshihen pas fasadës së botës perëndimore.

Barazi? Jo tamam

Nuk është çudi, prej mijëra vitesh ndarjet e caktuara të roleve gjinore në çdo aspekt të jetëve tona janë kaluar tek brezat e rinj, të rrënjosura në ndërgjegjen e nënndërgjegjen tonë.

Para një shekulli, gratë në Gjermani fituan të drejtën e votimit. Por sot gratë sërish fitojnë më pak se burrat dhe duhet të paguajnë më shumë për produkte të ngjashme.

Ne jemi minoritet në politikë, biznes dhe kulturë. As në botën perëndimore nuk jemi të barabarta. Jo tamam. Ende jo. Trump, Weinstein dhe të tjerë na kanë alarmuar.

Fushata “Time’s Up” (Koha Mbaroi) nga gratë e industrisë së filmit është gjithashtu një sinjal i rëndësishëm. Ai tregon se koha e shtypjes ka mbaruar. Ne u zgjuam, ne po vëzhgojmë dhe do vazhdojmë të luftojmë. Viti 2018 është viti i grave!/A.A.

/dw.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest