Oprah Winfrey: ‘Për shumë kohë gratë nuk janë dëgjuar apo besuar’

75th Annual Golden Globe Awards - Season 75

Oprah Winfrey pranoi çmimin e saj të Cecil B. DeMille mbrëmë në Golden Globes me një mesazh për vajzat e reja që po shikonin: “Një ditë e re është në horizont”.
Mesazhi i mogules të medias erdhi gjatë një ceremonie të Golden Globes i cili ishte i rëndësishëm, pasi ishte shfaqja e parë e ndarjes së çmimeve që kur Hollivudi filloi të adresonte ngacmimet e shfrenuara seksuale ndaj grave në industrinë e argëtimit dhe më gjerë.
Ceremonia e këtij viti ishte një nga më të politizuarat, pasi në qilimin e kuq aktoret e mëdha u veshën me të zeza për të mbështetur viktimat e ngacmimit seksual.
Disa prej emrave më të mëdhenj sollën me vete aktiviste për të drejtat gjinore dhe rracore, përfshirë themeluesen e lëvizjes #MeToo Tarana Burke, e cila filloi fushatën hashtag që ekspozoi shkallën e ngacmimit seksual ndaj grave në mbarë botën.
Winfrey këmbënguli në të njëjtën pikë në fjalimin e saj, duke thënë se ngacmimi seksual “tejkalon çdo kulturë, gjeografi, rracë, fe, politikë ose vend pune”.
“Kështu që sot dua të shpreh mirënjohje për të gjitha gratë që kanë duruar vite abuzimi dhe keqtrajtimi sepse ato, ashtu si nëna ime, kishin fëmijë për të ushqyer, fatura për të paguar dhe ëndrrat për të ndjekur”, tha ajo. “Ata janë gra, emrat e të cilave kurrë nuk do t’i dimë.”
Winfrey tha se ishte “frymëzuar” nga “të gjitha gratë që ishin ndier mjaft të forta dhe të fuqizuara sa duhet, aq sa të ngrinin zërin dhe të ndanin historitë e tyre personale”.
Në fjalimin e saj, Winfrey përmendi historinë e Recy Taylor, një grua me ngjyrë, përdhunimi i të cilës në vitin 1944 nga gjashtë burra nuk çoi në asnjë dënim. Taylor vdiq muajin e kaluar në moshën 97 vjeçare.
“Ajo jetoi – siç kemi jetuar të gjithë – në një kulturë të thyer nga burra brutalisht të fuqishëm”, tha Winfrey. “Për një kohë të gjatë, gratë nuk janë dëgjuar apo besuar nëse kanë guxuar të thonë të vërtetën ndaj fuqisë së këtyre burrave, por koha e tyre mori fund”.
Deklarata e saj nxiti duartrokitje entuziaste nga elita e Hollivudit .
Audienca u ngrit në këmbë dhe qëndroi në këmbë ndërsa Winfrey i dërgoi një mesazh “të gjitha vajzave” që po e dëgjonin fjalimin e saj.
“Dua që të gjitha vajzat që po më shikojnë, tani, të dinë se një ditë e re është në horizont! Dhe kur kjo ditë e re më në fund të agojë, do të jetë për shkak të shumë grave madhështore, shumë prej të cilave janë këtu në këtë dhomë sonte, dhe disa burrave të mrekullueshëm, që po luftojnë fort për t’u siguruar që ato të bëhen udhëheqëset që do të na çojnë në kohën kur askush nuk do të ketë më arsye për të thënë “metoo.”
Winfrey është gruaja e parë me ngjyrë që e merr këtë çmim.
Fjalimi i Winfrey vjen një vit pasi Meryl Streep e përdori fjalimin e saj për të njëjtin çmim për të dhënë një kritikë të ashpër ndaj presidentit të zgjedhur, Donald Trump./A.A.

/edition.cnn.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest