Protesta e naftëtarëve: “Rikthehemi nesër nëse nuk na jepen rrogat”

Captdftuure

Rreth 200 punonjës të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh dhe Rafinerisë së Naftës në Fier nisën dje marshimin drejt Tiranës. Ata përfaqësojnë rreth 1200 punëtorë të cilët prej kohësh protestojnë për pagat e prapambetura dhe mospagimin e sigurimeve shoqërore.

Problemet me pagat erdhën pas privatizimit të rafinerive nga kompania IRTC (Ionian Refining Trading Co), e cila nuk ka mundur të sigurojë naftë bruto për shkak një zinxhiri problemesh financiare.

Pas privatizimit, detyrimet e prapambetura ndaj punëtorëve vetëm janë shtuar, disa prej tyre deklarojnë se kanë një total prej 14 pagash të papaguara ndër vite dhe dyshojnë se nuk i janë paguar sigurimet prej shumë muajsh.

Naftëtarët e përshkallëzuan dje protestën, duke u nisur drejt Tiranës nga qendra e Fierit. Pasi kanë nisur marshimin, për shkak të lodhjes dhe kushteve atmosferike, në afërsi të Lushnjës ata kanë marrë autobusë për të vazhduar udhëtimin.

Video: Naftëtarët nisen drejt Tiranës

Sipas aktivistëve të Organizatës Politike, e cila ka mbështetur këtë protestë, policia i ka ndaluar autobusët në afërsi të fshatit Dushk, duke detyruar protestuesit të zbresin.

Naftëtarët kanë mbërritur në Tiranë mbrëmjen e djeshme, duke u strehuar në qendrën Logu i Shkëndijës

Protesta përpara Ministrisë së Energjisë:

Prej orës 10 të ditës së sotme, naftëtarët nisën protestën përpara Ministrisë së Energjisë. Ata paraqitën kërkesa e tyre të cilat u shtruan edhe në një takim zyrtar në Ministri, mes Ministrit Gjiknuri dhe atij të Financave Arben Ahmetaj dhe përfaqësisë së naftëtarëve, kreut të sindikatës së uzinës dhe një prej punëtorëve.

“Kërkojmë jo vetëm të hidhen pagat por të vihet në punë sa më shpejt ajo uzinë. Të gjithë ne që jemi këtu bashkë me familjet dhe fëmijët tanë e kemi lidhur jetën me atë naftë. Kërkojmë ndërhyrjen e qeverisë të zbatojë ligjin dhe tu japë zgjidhje këtyre punëtorëve që erdhën në këmbë nga Fieri deri këtu. Nuk kemi çfarë humbasim, do të ikim vetëm kur të marrim lekët. Kemi pa marrë dy paga të këtij viti, nëntori dhe dhjetori dhe kemi 13 paga të vitit 2015-2016. Ndërrimin e kompanive e bëjnë qeveritë që vinë, nuk kemi punë ne. Kërkojmë zbatimin e ligjit”, tha një prej protestuesve për “Ora News”.

26165208_697631290446042_4332624961169245236_n-678x381

Gjatë protestës pati edhe tension mes forcave të rendit dhe naftëtarëve. Policia ndërhyri forcërisht ndaj protestuesve kur ata tentuan të bllokojnë rrugën, duke shoqëruar një prej protestuesve.

Tre kërkesat e naftëtarëve:

-Marrja e pagave të prapambetura
– Marrja e pagës së muajit nëntor
– Rifillimi i punës

Marrëveshja në takimin zyrtar në Ministrinë e Energjitikës:

“Pas një takimi me dy ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj, u vendos të detyrohet administratori i kompanisë të marrë një kredi dhe të shlyejë rrogat tona nesër në orën 13:00”, lajmëroi kreu i sindikatës së naftëtarëve Kamber Iliazi përpara ministrisë së Energjetikës.

Dhjetëra protestues u shprehën të pakënaqur duke thënë se ky premtim ishte një gënjeshtër e radhës.

Mbyllet protesta, naftëtarët paralajmërojnë se do të kthehen sërish nëse nuk i plotësohet kërkesa:

Moti i keq dhe gjendja jo e mirë shëndetësore ka bërë që naftëtarët e rafinerive të naftës në Ballsh dhe Fier të mbyllin protestën në Tiranë rreth orës 14:00 të pasdites së sotme, 28 dhjetor 2017.

Ndërkohë kanë paralajmëruar se nëse nuk marrin pagën nesër në mesditë siç u është premtuar do t’u kthehen sërish protestave

 

/l.k./

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest