Naftëtarët marshojnë drejt Tiranës…

ballsh

Njësoj si banorët e Zharrëzës një vit më parë, naftëtarët e Fierit dhe të Ballshit nisën sot marshimin e tyre drejt Tiranës.

Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës dhe rafineria e Fierit të cilat administrohen nga e njëjta kompani kanë ndalur punën me pretekstin e një remonti, por naftëtarët nuk e besojnë këtë gjë.

Ata thonë se kjo është mbyllje përfundimtare dhe 1100 punonjësit do të mbeten pa pune.

Pas dhjetëra protestash të organizuara, punëtorët shpresojnë që me marshimin e tyre drejt Tiranës  të ndërgjegjësojnë kompaninë dhe institucionet shtetërore që t’u japin zgjidhje kërkesave të tyre.

Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve, Kamber Iljazi në një intervistë për BIRN bëri përgjegjës si kompaninë ashtu edhe qeverinë për rrogat e pa dhëna të nëntorit.

“Mos pagesa e muajit Nëntor mobilizoi gjithë forcat tona për kërkesën e palëkundur në këtë drejtim, pasi nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Ka një mefshtësi dhe një pengesë nga punëdhënësi dhe nga qeveria dhe njerëzit, të irrituar për këtë mos pagesë, janë në këtë lëvizje,” tha Iljazaj.

Naftëtarët dhe kryetari i Sindikatës thonë se vetëm pagesa e plotë dhe rivënia në punë e rafinerisë mund ta zhbllokojë situatën.

/l.k/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest