Ligji fle në sirtar, sërish festa në errësirë për familjet e varfra

fotro

Në Shqipëri janë 81.621 familje që jetojnë në varfëri dhe janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.

Shumë prej këtyre familjeve, si ajo e Adrian Muharremit në Selitë, janë të detyruara t’i kalojnë festat në terr, sepse për shkak të varfërisë, janë debitorë ndaj OSHEE.

“Unë jam familjar, kam një vajzë të vogël që shkon në shkollë, asaj i nevojitet drita elektrike për të mësuar, për të lexuar. Përpara tre viteve kam pasur drita, por mi kanë prerë sepse jam debitor, duhet të paguaj 1 milionë e gjysmë”, tha Adrian Muharremi për “Citizens Channel”.

Video: Rrëfimi i Ardian Muharremit i cili prej dy vitesh jeton nën dritën e qiriut

Të dhënat e Eurostat tregojnë se çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në Shqipëri është ndër më të lartit në rajon, duke lënë pas Kosovën, Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjën.

Por çfarë bëhet për t’i ndihmuar familjet në nevojë të kenë energji elektrike?

Dy vite më parë, qeveria shqiptare ndërmori një nismë e cila do t’i lejonte familjeve në nevojë të përfitojnë nga minimumi i mundshëm i energjisë, i cili nënkupton të paktën llamba ndriçuese. Por kjo nismë, edhe pse prej 2 vitesh ka marrë e miratimin nga Parlamentit, nuk është vënë ende në zbatim.

Sipas nenit 95, 96 të Ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” : klientët familjarë, që kanë fituar statusin e familjeve apo klientëve në nevojë për furnizimin me energji elektrike, kanë të drejtën për të marrë shërbimin universal të furnizimit të energjisë elektrike, sipas disa kushteve të veçanta.

Por, burime nga Ministria e Infrastrukutrës dhe Enegjisë thanë për Citizens Channel se ende nuk kanë një skemë se si do të zbatohet ky ligj. Pengesë për zbatimin e kësaj të drejte është mungesa e akteve nënligjore për zbatimin e saj. /l.k./

Burimi: Citizens Channel

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest