“Arti si mjet për të kritikuar strukturat e pushtetit”

feature

Arti si një mjet për të komunikuar në hapësirën publike dhe për të kritikuar strukturat e pushtetit. Ergin Zaloshnja, autor i dy veprave “FESHIZEM” dhe “Naming the halter in the hanged man’s house” në një intervistë për Historia Ime rreth kritikës që i bën rindërtimit të sheshit Skënderbej dhe abuzimit me estetikën në strategjinë qeveritare.

Vepra e parë e quajtur “FESHIZEM” është zhvilluar në 20 shkurt të vitit 2016 përpara Kryeministrisë.

“Fjala feshizëm është një fjalë e krijuar, është bashkimi i ‘Fashion’ (modë), plus fashizëm”, tha Zaloshnja.

Ajo vjen si kritikë ndaj politikave në administrimin e “Qendrës për Hapje dhe Dialog”, hapësira dedikuar artistëve në katin e parë të Kryeministrisë.

“Kjo qendër është një ‘total design’ i politikës neoliberale që po ndërmerr Kryeministri Edi Rama prej më se 4 vitesh, me politikën e tij partneritet publik privat që ka filluar të privatizojë të gjitha asetet e mbetura publike, për përfitime të privatit”, tha Ergin Zaloshnja për Historia Ime.

Video: Intervista e plotë

Sipas Zaloshnjës të dyja veprat kanë lidhje me arkitekturën që i mbivendoset njeriut në formë të dhunshme dhe totalitare.

Vepra e dytë quhet “Naming the halter in the hanged man’s house”, (Të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit” dhe ka në fokus kritikën ndaj rindërtimit të sheshit “Skënderbej” në Tiranë.

“Sheshi është një vend komunikimi, një vend takimi. Por sheshi është edhe një vend ekzekutimi. Unë preferova ta shihja në këtë aspekt, si një shesh ekzekutimi gjigant, sepse në një mënyrë apo një tjetër ai shesh, dhe jo vetëm, po na ekzekuton të gjithëve pak nga pak”, tha Zaloshnja.

Veprat janë pjesë e ekspozitës “Double Feature #8”, një ekspozitë nga Ergin Zaloshnja dhe artistes së lindur në Bjellorusi Marina Naprushkina e mbajtur në Tirana Art Lab.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest