“Ajo përballë asaj “

silhouette-of-sad-woman-smoking-outside-night-club-bad-habits-depression_ryeohobrl_thumbnail-full01
Foto Ilustruese

*Nga Pranvera Berati

Ajo paragjykohet, gjykohet, shkelet, përulet, dashurohet, urrehet, goditet, por përsëri është e aftë të dashurojë të falë, të sakrifikojë, të harrojë dhe të japë pa kërkuar asgjë në këmbim. E pra kjo është “ajo “ që ju apo ne e quajmë grua të pacipë.  Νe paragjykojmë veshjen ekstravagante, gjykojmë “profesionin“ por harrojmë të dëgjojmë arsyet, mendimet dhe vendimet e saj.

Harrojmë dhe ia mohojmë kategorikisht të drejtën për të folur dhe për të arsyetuar mënyrën e kësaj jete fatkeqe, duke e “kryqëzuar” e duke e emërtuar “prostitutë”.

Ndeshem rastësisht me Orin në kryqëzimin e Dinamos, rrugës për tu kthyer në shtëpi. Më kërkon një çakmak për të ndezur cigaren, e aty nis biseda jonë…

Kishte lindur në një familje të varfër me shumë fëmijë, të shoqëruar me miliona probleme socio-ekonomike. Babai i papunë i ishte dorëzuar alkoolit dhe hera -herës vinte dorë tek nëna dhe fëmijët. E gjendur mes varfërisë dhe dhunës , pa e kuptuar dhe pa e dëshiruar ishte gjendur mes rrjetit të prostitucionit.

Si fillim kishte filluar si borxh i dy qindarkave për të ngopur barkun me bukë , më pas këto qindarka i kishte shpërblyer duke shitur trupin për tu ushqyer e vazhdon ta shesë për të plotësuar nevojat bazike. Me të vërtetë ka shitur trupin, por zemrën kurrë. Zemra është ende e saja dhe është e bardhë, ashtu siç janë edhe ëndrrat për të.

Ëndrrat janë të shumta, por stepen përballë mentalitetit mbytës. Prej vitesh familja e ka mohuar si fëmijë dhe ajo nuk ka pasur asnjë kontakt me ta. Mes këtyre fjalëve, disa lot i përshkojnë faqet dhe papritmas ndal bisedën…

Fshin lotët dhe largohet pa më përshëndetur.

Vazhdoj rrugën për në shtëpi si e përhumbur duke menduar për fatin e saj dhe shumë vajzave të tjera që me apo pa vullnetin e tyre e kanë parë veten skllave të dëshirave dhe përfitimeve të meshkujve.  Sa e sa vajza janë mashtruar nga meshkuj të cilët i janë betuar për dashuri dhe i kanë shfrytëzuar. Sa e sa nëna janë detyruar të shesin trupin, vetëm e vetëm të mos dëgjojnë të qarën e fëmijës disamuajsh që kërkon ushqim??

Sa e sa të tjera, të cilave u është premtuar një vend pune dhe i kanë ngatërruar në rrjete të pafundme të prostitucionit. Shumë prej tyre janë munduar të shpëtojnë nga kjo jetë, por dora e hekurt e mashkullit nuk e ka lejuar dhe maskilizmi ka triumfuar mbi lotin e dlirë.

Disa të tjera ia kanë dalë të shpëtojnë nga ajo jetë, por i ka penguar mentaliteti mbytës për të ecur përpara.

Mentaliteti mbytës përbëhet nga ty baba që kur dëgjon nëpër media  termin prostitutë, fik televizorin dhe i fut edhe një të sharë mbrapa, nga ty nënë që ke turp të shqiptosh fjalën prostitutë në prani të vajzave e mundohesh t’ ua ngulitësh atyre në kokë se ato janë femra të pacipa, nga ty gjyshe që qëndron në dritare dhe e shikon me përbuzje dhe frikë sikur të ishte e sëmurë me sëmundje ngjitëse, nga ty mashkull posesiv që i etur nga dëshira e përqafon këtë prostitutë, por për bashkëshorte s’do ta zgjidhje kurrë, nga ne të gjithë që ia bëjmë me gisht dhe e përjashtojmë nga rrethi shoqëror pa ditur arsyet që e kanë çuar në këtë rrugë.

Ajo ndjehet e frikësuar,  fajtore  ndaj paragjykimeve njerëzore por sërish rimëkëmbet. Rimëkembehet sepse ajo quhet Grua dhe aftësia e Gruas është të qëndrojë e fortë, nëpërmjet butësisë shpirtërore.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest