QSUT, mungojnë ilaçet për të sëmurët me hemofili

qsut1

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, prej një jave nuk arrin të sigurojë ilaçet e mjaftueshme për pacientët me hemofili.

Lajmi bëhet i ditur nga portali “Pro Pacientit”, duke sjellë edhe zërat e personave të prekur nga kjo sëmundje.

“Kjo është dita e tretë që vij nga Vlora për të marrë medikamentet, por nuk më japin asnjë medikament, sepse mungojnë”, tregoi për Pro Pacientit një 40 vjeçar nga qyteti bregdetar, i cili zgjodhi të mos identifikohej.

Besart Nezaj është një tjetër pacient me hemofili, që ka mungesë të theksuar të mpiksjes së gjakut dhe që nuk arrin të marrë sasi të mjaftueshme me ilaçe.

“Sot isha në QSUT dhe me të drejtë mjekët e repartit me komunikuan se nuk ka faktorë VIII dhe IX për shkak se ilaçet janë drejt përfundimit. Në farmacinë e spitalit japin shumë pak sasi dhe me shumë vështirësi. Sasia e fundit që ka mbetur për këtë vit ruhet për urgjenca të ndryshme. Ne na rrezikohet jeta duke mos pasur ilaçe. Një traumë e mundshme mund të jetë fatale”, tha Nezaj për “Pro Pacientit”.

QSUT në kundërshtim me atë që thonë pacientët: “Zgjidhjet janë dhënë në kohën e duhur”

Institucioni përmes përgjigjes së një kërkesë për informacion ka deklaruar të kundërtën.

“Nga drejtuesit e QSUT janë bërë gjatë gjithë kohës dhe në vazhdimësi përpjekjet maksimale për furnizimin në kohë me faktorët VIII dhe IX, por edhe të gjitha medikamentet e nevojshme për shërbimet që u nevojiten pacientëve. Për problematikat e hasura, zgjidhjet janë dhënë në kohën e duhur”, thuhet në përgjigjen zyrtare të QSUT.

Pacientët përgënjeshtrojnë deklaratën: “Na premtuan shkurtim të procedurave, por medikamentet mungojnë”

Ndërkohë, pacienti Nezaj deklaron se ndryshe nga sa u është premtuar më parë nga drejtuesit e spitalit, medikamentet mungojnë. “Drejtori i spitalit na premtoi rreth 1 muaj më parë se do të ketë shkurtim të procedurave pritëse, pasi edhe kur ka ilaçe ne qëndrojmë në QSUT 6-7 orë, por kjo nuk ka ndodhur. Aktualisht, mjekët dhe infermierët e spitalit që kanë detyrim të na mjekojnë, janë dorëzuar dhe thonë se deri në janar të 2018-s, situata do të jetë kështu. Ata na mbajnë me shpresa duke thënë se mund të ketë ndonjë donacion të huaj gjatë këtij muaji”, përfundoi pacienti.

Çfarë është hemofilia?

Hemofilia është një çrregullim gjakderdhjeje që vjen nga mungesa e faktorëve që bëjnë mpiksjen e gjakut. Kjo sëmundje është e pashërueshme dhe në shumicën e rasteve është e trashëguar.

Ka dy lloje të hemofilisë:

Hemofilia A, e cila njihet si hemofilia klasike, e cila shkaktohet nga mungesa e atij që quhet faktori VIII.
Hemofilia B, e cila shkaktohet nga mungesa e faktorit IX dhe mungesës së prodhimit të mjaftueshëm të tij.

Gjakderdhja e shkaktuar nga hemofilia është zakonisht e brendshme. Zakonisht nyjet e muskujve kanë raste gjakderdhjesh të cilat ndodhin spontanisht apo në raste lëndimi. Edhe pse është një gjendje e pashërueshme, ajo mund të mbahet nën kontroll në mënyrë të efektshme me anë të mjekimeve. /l.k/

Burimi: Pro Pacientit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest