“Kompleksi Selita”, familjet rome i propozojnë Bashkisë zgjidhjen për strehim

IMG_0996

Rreth 100 familje në zonën e Selitës, mes të cilave 50 të komunitetit rom, u dëbuan nga banesat e tyre në vitin 2015 për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe. Ata thonë se për shkak të diskriminimit, vetëm një pjesë e vogël e tyre përfituan nga zgjidhja e përkohshme që u ofroi Bashkia në 2015, subvencionimin 2-vjeçar të qerasë.

“Banorët e komunitetit Rom kanë rreth 3 vite që enden rrugëve. E kanë pasur shumë të vështirë të sigurojnë një banesë me qera për shkak edhe të përkatësisë rome. Sepse është shumë e vështirë që pronarët e shtëpive nga mazhoranca t’i japin një banesë me qera”, tha për Historia Ime aktivistja Romina Sefa.

Por prej janarit të vitit 2018, edhe kjo periudhë mbaron dhe familjet gjenden sërish në qiell të hapur. Ndaj sot (21 dhjetor), banorët e komunitetit rom në zonën e Selitës, organizuan një protestë përpara Bashkisë, ku ofruan një zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për strehimin e tyre.  Me ndihmën e një inxhinieri kanë ideuar projektin e quajtur “Kompleksi Selita”, një zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për strehimin e tyre, duke identifikuar 5 hapësira në pronësi të Bashkisë së Tiranës që mund të përdoren për strehimin. Banorët kërkojnë nga Bashkia që projekti i tyre të përfshihet në buxhetin e vitit 2018, i cili është në prag të miratimit.

Në videon më poshtë banorët inskenuan historinë e tyre të dëbimit, duke  paraqitur në fund edhe zgjidhjen që i propozojnë Bashkisë Tiranë:

“Kompleksi Selita”, është ideuar nga vetë banorët si një hapësirë që do t’i jepte zgjidhje të përheshme strehimi dhe punësimi. “Banorët kanë menduar për një hapësirë që të përfshijë qendra shëndetësore dhe komunitare si dhe hapësira që do të shërbejnë për t’i dhënë një punësim të qendrueshëm familjeve”, tha Romina Sefa.

Banorët e Selitës iu drejtuan Bashkisë duke kërkuar zbatimin e kërkesës së tyre: 

Banorët dhe aktivistët thonë se nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh ata do të vazhdojnë me protesta deri sa zëri i tyre të dëgjohet:

 

/l.k./

 

 

 

 

 

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest