Identifikimi i kryqëzimeve mes komunitetit Rom dhe LGBTQI

CRD

Ditën e djeshme (e mërkurë, 19 dhjetor) u organizua workshopi rajonal “Identifikimi i kryqëzimeve mes komunitetit Rom dhe LGBTQI” me qëllim diskutimin mbi problemet e shumfishta për shkak të të qenurit LGBTQI dhe Rom/Egjiptian.

Aktivistë të organizatave Rome dhe Egjiptiane, LGBTI apo organizatave rinore, diskutuan mbi ndërsektorialitetin mes etnisë, orientimit seksual dhe identitetit gjinor si dhe problemeve të shumëfishta të personave LGBTQI/ Rom dhe Egjiptianë në tre vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi.

Disa nga problematikat ku komunitetet gjejnë emërues të përbashkët janë diskriminimi, papunësia, mungesa e aksesit në shërbime publike etj.

Aktiviteti i organizuar nga Civil Rights Defenders dhe Swedish Institute ngriti disa panele diskutimi, si “Shtypja e brendshme dhe fuqizimi i komuniteteve”, “Lëvizjet grass-root – Ndërsektorialiteti  dhe krijimi i platformave solidare” si edhe “Përdorimi i artit, dialogut dhe veprimit”. Aktivistët për të drejtat e dy komuniteteve shprehën shqetësimet, sfidat dhe disa prej fryteve të aktivizmit të tyre në secilin shtet.

Aktivisti maqedonas Antonio Mihajlov nga organizata “Subversive Front” shprehu se dhunimi i të drejtave të njeriut për këto dy komunitete mbetet alarmant. Personat rom vijojnë të mbeten të paregjistruar në gjendjen civile, personat LGBTQI diskriminohen në vendin e punës, sidomos kur bëhet fjalë për personat transgjinorë etj.

This slideshow requires JavaScript.

Edhe aktivisti serb Vuk Raičević nga organizata “Praxis” tregoi se gjatë punës së tyre hasen me mungesën e theksuar të regjistrimit civil të komunitetit rom. “Këta persona janë ligjërisht të padukshëm në sytë e shtetit dhe ky vakum ligjor sjell automatikisht diskriminim” tha aktivisti.

Ndërsa Dragoslava Barzut, nga organizata serbe “Da se zna”, tregoi për sulmin personal ndaj saj për shkak të orientimit seksual si dhe denoncimin që kishte bërë në polici, duke u bërë e para lezbike (e hapur) që denoncon një krim urrejtjeje në Serbi.

Gjithashtu aktivistë shqiptarë për komunitetin rom nga organizata  “T’reja” treguan për shqetësimet që komuniteti rom has në Shqipëri duke nisur që nga diskriminimi në dyert e institucioneve, arsimimi dhe strehimi.

Gentjan Sejrani nga “Lëvizja Rinore Egjiptiane – Rome”  ngriti problemtatikën e përbashkët të personave LGBTQI dhe atyre Egjiptian siç është mos vetdeklarimi i përkatësisë së një grupi shoqëror për shkak të stigmës dhe diskriminimit që ekziston në Shoqëri dhe diskriminimit që ndodh vet brenda komunitetit Rom apo Egjiptian ndaj personave LGBT.

“Është shumë problematike kur bëhet fjalë për anëtarë që i përkasin komunitetit Rom dhe Egjiptian por nga ana tjetër janë me prirje të LGBTI, edhe brenda komunitetit ata nuk pranohen në shumicën e rasteve dhe diskriminohen. Pra edhe ne që na diskriminojnë të tjerët, në një moment të caktuar kthehemi vet diskriminues kundrejt atyre që i shohim brenda komunitetit tonë por që kanë një prirje tjetër në orientimin seksual”.

E pranishme në aktivitet ishte dhe transgjinorja Lola e cila tregoi për vështirësitë e shumta që ajo dhe komuniteti trans ndeshin në përditshmërinë e tyre në Tiranë.

Në kuadër të 20 Dhjetorit si Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit organizatat dhe aktivistë bënë thirrje për nevojën për të lobuar së bashku për një shoqëri më të drejtë ku të drejtat e gjithësecilit komunitet respektohen./k.m/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest