Nis në 18 dhjetor linja e këshillimit online SOS LGBT

sos cover

Nga dita e hënë (18 dhjetor 2017) do të nis shërbimin linja e parë e këshillimit online për personat LGBTI dhe familjarët e tyre. SOS-LGBT është një platformë që ofron këshillim profesional mjekësor dhe psikologjik si dhe këshillim prindëror për çështjet e coming out (dalja hapur), shëndetit seksual, diskriminimit, bullying apo shqetësime të tjera nëpërmjet tre formave:

  • KËSHILLIM NË CHAT  – Një hapësirë këshillimi private nëpërmjet chatit, anonime, konfidendiale dhe e sigurt për personat LGBTI apo familjarët e tyre.
  • PYET EKSPERTIN – Një hapësirë pyetje-përgjigje publike, ku çdokush ka mundësinë të pyesë dhe të marrë përgjigje nga mjeku, psikologu ose prindi. Në këtë sesion pyetjet dhe përgjigjet nga ekspertët do të jenë publike, duke ndihmuar kështu edhe persona të tjerë që kanë të njëjtin shqetësim por ndihen ende të pasigurt të shkruajnë.
  • GRUP MBËSHTETËS – Grupet mbështetëse ofrojnë hapësira të sigurta komunikimi për personat që kanë eksperienca të ngjashme dhe ndihmojnë njeri-tjetrin.

Secili prej specialisteve do të ketë orare të caktuara kur do të jetë në linjë për të ofruar këshillimin.

  • Psikologu: E hënë dhe e enjte 17:00 – 19:00
  • Eksperti i shëndetit seksual: E mërkurë dhe e  premte 17:00 – 19:00
  • Prindi: E martë dhe e enjte 19:00 – 21:00

Ky projekt synon të ndihmojë personat që kanë ankth, vetëbesim të ulët, depresion, vetmi apo edhe ata që janë kurioz për disa çështje. SOS-LGBT do të jetë një “shok” online anonim i aftë për të dëgjuar shqetësimet dhe pyetjet.

SOS-LGBT do të funksionojë gjithashtu si një platformë edukimi dhe ndërgjegjësimi online duke ofruar informacione edukuese për çështje të ndryshme. Nga ana tjetër, faqja do të shërbejë edhe si një hartë online për identifikimin e organizatave, bizneseve, apo shërbimeve LGBT miqësore në të gjithë vendin.

Ky projekt është iniciativë e organizatave ProLGBT dhe Aleanca LGBT i mbështetur financiarisht nga All Out Grassroots Giving Programme dhe U.S Embassy nëpërmjet Democracy Commission Small Grants.

*Hyni në faqen www.soslgbt.al për më shumë informacione rreth shërbimit.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest