Një shekull pa ujë, fshati Visokë do të padisë shtetin

visoke

Fshati Visokë në Bashkinë Mallakastër nuk ka pasur asnjëherë ujësjellës.

Njësoj si një shekull më parë, 2000 banorët e këtij fshati duhet të përshkojnë kilometra për të siguruar ujë të pijshëm nga burimet natyrore.

Banorët e moshuar të këtij fshati kujtojnë se që kur kanë lindur nuk kanë pasur ujë, duke shtuar se mund të largohen nga kjo jetë pa ujë:
“Unë kam 60 vjet që kam ardhur në këtë fshat, nuk ka ujë. E mbushim ujin me kova, me zorra se nuk na jep njeri ujë. Për të blerë ujë nuk kemi mundësi, kemi bërë ndonjë pus, kështu si pellg, por ai ujë nuk pihet”, tha për RTSH një prej banoreve të moshuara të fshatit.

Me asistencën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KshH), banorët e Visokës do të ngrenë padinë e parë në gjykatë për të drejtën e ujit. “E drejta për ujë të pijshëm, është siguruar nga Konventa ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar. Detyrimi për të siguruar ujë të pijshëm në radhë të parë i takon Bashkisë e më pas Ministrisë së Energjisë”, tha Andi Murataj, përfaqësues i KShH.

KShH është e angazhuar  për ndjekjen e çështjes, duke përfaqësuar banorët për të ushtruar të gjitha mjetet ligjore, administrative apo gjyqësore në emër të tyre, për të detyruar organet publike përgjegjëse, për të zgjidhur e adresuar shqetësimet e këtyre shtetasve, thuhet në njoftimin e publikuar nga ky institucion.

Banorët organizuan dje një protestë, duke paralajmëruar përshkallëzim të reagimit nëse problem i tyre nuk merr zgjidhje.

Fotogaleri: Puset me ujë të ndotur dhe vështirësite e banorëve për të siguruar ujë/ KShH

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest