Historia e transgjinores Lorena: “Dua të ndihem e lire për atë që jam“

feat

Lorena është 24 vjeç, ajo rrëfen në një intervistë historinë e saj. Edhe pse është pranuar nga familja dhe nga shoqëria, asaj i duhet të fshehë identitetin në vendin e punës.

Lorena tregon se nuk ka hasur diskriminim në shkollë, por shton se asnjëherë nuk është ndjerë e lirë ‘‘gjithmonë mundohem t’i bëj gjërat dhe unë të ndihem mirë dhe mos të lë shkak që të kem probleme“.

Video: Historia e Lorenës

Intervista e plotë:


Si do ta përkufizoje jetën e një personi trans në Shqipëri?

Do ta përshkruaja si shumë të bukur, të paktën për veten time shumë mirë.

Si kanë qenë fillimet? Kur e ke kuptuar për identitetin tënd gjinor?

E kam kuptuar që në moshën 10 vjeçare sepse vishja gjëra femërore. Gjithmonë më pëlqente të vishja takat e mamit ose fustanet e mamit. Më pëlqente të dilja përpara pasqyrës, të shihja veten si femër, diçka komplet ndryshe, pavarësisht se isha një femër e burgosur në trupin e një mashkulli. Unë e kam kuptuar në një moshë shumë të vogël dhe fillimet kanë qenë pak të vështira, por me mbështetjen e familjes e kam kaluar. Personi më i afërt në familjen time ka qenë mamaja ime.

A mban mend ndonjë një episod nga fëmijëria në lidhje me familjen? Pra, kur e kanë kuptuar ata që ti kishe një identitet gjinor ndryshe? Si kanë reaguar?

Kur e kam diskutuar me familjen time këtë pjesë nuk mbaj mend ndonjë reagim të çuditshëm, thjesht më kanë pyetur “A është e vërtetë kjo gjë që po më thua?”. Dhe i kam thënë që po, unë kjo jam, kjo ndihem dhe nuk kam pasur asnjë lloj reagimi. As pozitiv, as negativ. Ka qenë një përshtypje shumë e thjeshtë, një ngritje krahësh dhe çdo gjë ka filluar në rrjedhën e saj shumë normale, shumë në rregull.

Cili ka qenë personi i parë me të cilin ke dal hapur, që ke mundur të flasësh?

Për herë të parë ka qenë thjesht një shoku im, atij i kam folur për herë të parë për orientimin tim seksual. Dhe personi i dytë ka qenë mamaja ime.

Si e keni zhvilluar bisedën me mamin?

Jam ulur duke diskutuar me mamanë time dhe i kam thënë që “mami unë jam një femër e burgosur në trupin e një mashkulli dhe unë ndihem femër dhe nuk jam mashkull. Ndihem femër dhe jam femër”. Më ka pyetur ndihesh në rolin e femrës apo në rolin e mashkullit? Unë i kam thënë në rolin e femrës dhe e kemi kaluar me të qeshur.

Mban mend ndonjë  histori nga fëmijëria kur ti je ndjerë e fyer apo je ndjerë vërtet keq dhe e diskriminuar për shkak të identitetit gjinor?

Në moshën 13 vjeçare. Në moshën 13 vjeçare ka ndodhur dicka që mua më ka lënë një, një gjurmë në jetën time për faktin se kam pasur një traumë, ndoshta mund ta them, nga një person i afërt në jetën time… kam pasur shumë provokime, shumë ofendime, shumë gjëra që mua më bënin të ndihesha keq. Ky person është një i afërt i imi dhe me të vërtet që unë nuk e imagjinoja dot, nuk e prisja të ndodhte në atë mënyrë. Ishin ofendimet, kërcënimet, fyerjet.. Ky ka qenë moment traumatik që kam kaluar në jetën time.

Pse ndodhi kjo? Nga ndonjë situatë që u krijua apo…?

Me thënë të vërtetën nuk pati ndonjë situatë që u krijua, as vetë dhe sot nuk e di si ndodhi dhe se si arriti të dilte jashtë kontrollit situata. Po besoj se e ka kuptuar për identitetin tim përderisa veproi në atë lloj mënyre dhe filluan ngacmimet, filluan ofendimet. Në qoftë se unë nuk dilja me të, apo të pija një kafe apo ku di unë… fillonte me ofendimet, sharjet, kërcënimet pra të gjitha mënyrat sepse donte të më bënte të ndihesha keq.  Me këdo që unë mund të isha ai bënte këto gjëra në mënyrë që unë të ndihesha keq.

Çfarë raporti ke pasur me këtë person?

Raport shumë të mirë.

Ka qenë një person i afërt i familjes?

Po, po i familjes.

Po periudha e shkollës si ka qenë për ty, çfarë shkolle ke ndjekur?

Kam mbaruar shkollën e mesme dhe s’kam pasur ndonjëherë probleme në shkollë apo në klasë me nxënësit, me mësuesit.. kam qenë shumë OK. Nuk mbaj mend raste të ngacmimeve apo diskriminimit, përkundrazi kam qenë shumë OK si në shkollë dhe në rrethin shoqëror. Nuk kam pasur ndonjëherë të tilla probleme që mund të kem hasur në vështirësi.

Në lidhje me jetën tënde, nëse do të përshkruaje një ditë tënden si do ta nisje?

E nis me mendimin se jeta është shumë e bukur, dita për mua nis duke pirë një kafe me shoqërinë time.  Gjërat në vijim janë një xhiro dhe pastaj angazhohem me punën dhe dita nis kështu shumë bukur dhe përfundon shumë bukur.

Cilat janë ambjentet që ju frekuentoni më shpesh? Pra në rastet kru shoqërohesh me persona të tjerë të komunitetit LGBT?

Ambjentet në kafe, shtëpitë e ndonjërës prej vajzave ose kudo që ta gjejmë mundësinë që të ndihemi vetvetja.

A ndihesh ti e lirë në një qytet si Durrësi, pra a ndiesh e lirë për të qenë vetvetja me shoqërinë, në marrëdhënie me punën, me njerëzit që të rrethojnë?

Nuk mund të them ndihem e lirë por mundohem që t’i bëj gjërat dhe unë të ndihem Okay dhe mos të lë shkak që të kem probleme. Për sa i përket shoqërisë time ndihem shumë vetvetja, më përkrahin shumë dhe gjithmonë kur jam në momente të vështira ato i kam pranë për çfarëdolloj fakti apo gjëje që unë mund të kem problem.

Në ambjentet e punës, (qesh) aty vështirësohen pak gjërat. Jetojmë në një botë që jo të gjithë të kuptojnë, jo të gjithë janë të ditur për këtë lloj pjese dhe është pak e vështirë.  Mundohem t’i pranoj pak gjërat që t’ia dal mbanë e të mos kem shqetësime.

Pra kolegët e tu ose si të thuash punëdhënësit nuk janë në dijeni për identitetin tënd?

Jo, absolutisht.

A ka pasur raste kur ke dashur t’ia thuash?

Sigurisht kam pasur raste sepse gjatë një bisede me kolegët e punës kanë qenë të saktë në tema dhe më ka pëlqyer që kanë qenë njerëz të ditur, njerëz pa paragjykime, njerëz të saktë. Po prapë-së-prapi jam ndrojtur nga kjo lloj pjese dhe nuk jam shprehur.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Planet e mia për të ardhmen janë pak të ndrydhura le të themi por shpresoj që një ditë do t’i bëj realitet gjërat që nuk mundem tani për tani t’i bëj realitet.

Cilat janë këto “gjëra” që nuk mundesh t’i bësh realitet?

Të kthehem në një femër, të ndjehem e lirë për atë që jam. Kjo është një ndër planet më të mëdha që unë kam në jetë dhe ta bëj ëndrrën time realitet.

Ku e sheh të ardhmen tënde, do që të jetosh në Shqipëri apo diku jashtë?

Nuk është problem, si në Shqipëri apo në një vend tjetër. Ndihem mirë dhe në Shqipëri po të jem një pjesë e femrës edhe s’është problem që të jetoj në Shqipëri apo të jetoj në një vend të Evropës.

A ke një mesazh për personat trans në Shqipëri?

Po kam një mesazh për personat trans në Shqipëri. Duhet të jeni vetvetja, duhet ta vazhdojnë ëndrrën deri në fund dhe nuk duhet të stepen nga dikush që mund ta kërcënojë apo ta diskriminojë. Thjesht duhet të dalin të lira, të jenë siç duan dhe siç e ndjejnë në shpirt.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest