Pinderi: Shqipëria dhe zanafilla e paragjykimeve ndaj personave LGBTI

Tirana Gay Pride 2016Tirana Gay Pride 2016

Nisur nga fjalimi i pak ditëve më parë të Kryeministrit Trudeau i cili kërkoi falje në emër të shtetit kanadez për persekutimin historik ndaj personave LGBTI, Kristi Pinderi, aktivist për të drejtat e komunitetit LGBTI, hedh dritë mbi historikun e margjinalizimit të këtij komuniteti në Shqipëri. Në një shkrim për revistën kulturore online “Peizazhe të Fjalës”, ai e lidh klimën e ashpër ndaj personave LGBTI jo vetëm me mungesën e informacionit dhe zhvillimit shoqëror, por edhe me të kalaurën historike ku homoseksualizmi figuron të ketë qenë i kriminalizuar që në vitin 1925.

Pinderi shkruan se në Arkivin e Shtetit të vitit 1925, në skedarët “Krime të kundërnatyrshme”, ekzistojnë dokumente ku Kryesija e Republikës i kërkon Ministrisë së Drejtësisë ndryshimin e Nenit 197 të Kodit Penal për “Pederastinë”. Deri në atë kohë Kodi Penal përfshinte vetëm rastet e marrëdhënie seksuale mes një të rrituri dhe një të mituri (deri në 15 vjeç), që sot njihet si pedofili.

Për t’u studiue nga ajo Ministri e për të na u njoftue mendimi i saj, këtu ngjitur ju dërgohet kopja e një projekt ligji mbi ndalimin e pederastis paraqit për në Kryesi të Këshillit t Ministruer me shkresa numër 2166 datë 30-10-925 (dmth viti 1925) të Ministris së P. Mbrendshme…

…Në nenin 197 të Kodit të sipërthan dënohen ata q’i bajn punën e shëmtuet një tjetrit q’i asht pesë me dhet vjeçe e posht e nuk ndëshkohen ata q’i i bajn po kët vepër nji personi 15 vjeç e nalt. Dmth në ligjet sod në veprim Pederastia asht e ndalueme kur qi pasivi asht 14 vjeç e poshtë dhe e lirë kur qe ay asht 15 e nalt”.

Pra termi pederastia nuk i referohej marrëdhënieve homoseksuale por atyre pedofilike. Pavarësisht kësaj, sistemi Komunist në Shqipëri njohu një përndjekje sistematike ligjore ndaj personave LGBT ku mijëra vetë u dënuan. Pinderi shkruan se dënimet janë mbajtur të fshehura në shumicën e rasteve për të mos pranuar publikisht ekzistencën e individëve të cilët konsideroheshin si një rrezik për moralin shoqëror.

“Janë me mijëra familjet e atyre qytetarëve të shkatërruar nga ai neni i shkurtër me 46 germa. Disa prej tyre nuk dolën nga burgjet, disa të tjerë u detyruan të bëheshin pjesë e sistemit të shtypjes përmes spiunimit, disa të tjerë u shkatërruan përfundimisht për fajin e vetëm se nuk e fshehën dot që ishin, deri diku, ndryshe nga shumica.”

E jo të paktë ishin edhe ata që “u detyruan pas burgut të ktheheshin në shoqëri, jo për tu integruar, por për tu shndërruar në tabele qitjeje për të mbrojtur me demek moralin shoqëror” shkruhet në analizë.

Unë e kam të vështirë të besoj që dikush që është lindur dhe rritur në atë sistem të pranojë befas brenda një kohe kaq të shkurtër se e ka gabim tërë botëkuptimin me të cilin është formuar, qoftë dhe në mënyrë të dhunshme, në një shoqëri të padrejtë dhe hipokrite. Si mund t’u thuash sot shqiptarëve se ajo me të cilën ata janë brumosur si detyrë ndaj vendit nuk është gjë tjetër veçse përndjekje dhe krim i frymëzuar nga shteti?

Por problematik është fakti se dhe pas dekriminalizimit të marrëdhënieve homoseksuale, në Parlamentin shqiptar “ka njerëz të pushtetit të dikurshëm totalitar që e kishin pjesë të karakterit dhe të punës së tyre përndjekjen e të tjerëve” dhe se ndryshimi është bërë jo se është dashur, por se ka qenë presion i institucioneve ndërkombëtare.

I nisur nga fjalimi i kryeministrit kanadez, Pinderi thotë se është i ndërgjegjshëm që kjo gjë nuk ka për të ndodhur në Shqipërinë e tanishme të zaptuar nga pesimizmi, korrupsioni, fataliteti dhe mungesa e shpresës.

Ama, nëse nuk i kërkoj unë sot Shqipërisë të kërkojë falje për krimet që ka bërë ndaj komunitetit LGBT, nuk mund të rroj dot i qetë as tani e as për vitet në vijim. E sigurisht, e di edhe se deri ditën kur ky vend të bëjë paqe me krimet e së kaluarës, ndaj kujtdo, jo vetëm ndaj LGBT, ditët e mira e të bardha për fëmijët tanë do të jenë akoma larg. /m.g/

Burimi: Peizazhe të Fjalës

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest