Varfëria, si forma më e hapur e dhunës ndaj popullit

cropped-cropped-header-shoes1

*Nga Rovena HOXHA

 

Varfëria në Shqipëri ka karakter shumëdimensional e tashmë të tejskajshëm. Po t’i referohemi shifrave statistikore, gjatë vitit 2016 në Shqipëri janë shtuar dukshëm të varfrit, kurse mbi 60% e pasurisë në vend është gllabëruar vetëm nga 4% e njerëzve të pasur. A ka njeri që nuk e kupton këtë hendek shtresor?

Është e vështirë të japësh një përkufizim për varfërinë, sepse ajo ndryshon nga një periudhë në tjetrën dhe nga një vend në tjetrin. Përveç kësaj, varfëria mund të matet dhe vlerësohet në mënyra të ndryshme. Kështu, ndryshe nga gjitha vendet europiane, në Shqipëri vetëm 7% e të varfërve asistohen me bonus ekonomik nga qeveria shqiptare; kjo shifër do të thotë se, shteti ynë nuk është aspak një shtet social me qytetarët e vet në nevojë. Përkundrazi, në vendin tonë varfëria evoluon frikshëm dita-ditës.

Varfëria është një dukuri komplekse, që përfshin dimensione të ndryshme të mangësive, ndër të cilat pamjaftueshmëria e produkteve utilitare dhe e shërbimeve është vetëm njëra anë e shfaqjes. Varfëria fillon me uri mbi të gjitha për ata që e provojnë realisht, dhe mbaron me poshtërimin që ndjen nga jeta dhe nga të tjerët. Sepse, ashtu pa e kuptuar fare, një ditë shtresëzohesh lehtë fare në “një të varfër”.

Tek ne, ajo nuk identifikohet vetëm me të papunët apo me familjet që jetojnë në varfëri ekonomike, por përfaqësohet, gjithashtu, me kategori, të cilat janë të përjashtuara nga të drejta themelore për të pasur një banesë, ushqim të mjaftueshëm, ngrohje dhe veshje në dimër, punë në përputhje me aftësitë fizike dhe nivelin arsimor, shkollë afër shtëpisë dhe mundësi për ta ndjekur atë, akses në shërbim shëndetësor, mbrojtje nga grabitja dhe dhuna, të drejtë dhe zë për të kërkuar të drejtat. Megjithëse varfëria është identifikuar si një pabarazi në shpërndarjen e të mirave materiale midis shtresave të ndryshme te popullsisë, «të ardhurat» është aktualisht, indikatori më i rëndësishëm dhe më përfaqësuesi i pabarazisë dhe varfërisë. Realisht sot, një ndër 5 pensionistë në Shqipëri nuk përfiton pension pleqërie. Atëherë, po çfarë ndodh realisht me ta??!? Si mbijetojnë ata vallë?

Të jesh i varfër do të thotë të mos kesh strehë, të jesh i sëmurë dhe të mos kesh mundësi të vizitohesh te mjeku; do të thotë të jesh i papunë dhe të mos kesh një të ardhme të sigurtë; madje të jesh analfabet, të mos kesh mundësi për kushte shëndetësore dhe të të mungojnë shumë shërbime e mjete për jetën e përditshme. E mbi te gjitha ndjehesh i dhunuar nga shteti yt, e nuk ngrihesh dot kurrë më.

Por, ndërsa Shqipëria para 1990 i përkiste realizmit socialist të asaj kohe, në të vërtetë ajo ishte krejt e izoluar, vendi më i panjohur në Europë si dhe një ndër vendet më të panjohura në botë. Pikërisht ky izolim pengoi zhvillimin e vendit dhe favorizoi varfërinë midis popullit. Ai sot ka prekur fundin dhe përqafuar varfërinë, i lodhur tashmë nga 27 vite tranzicion të pafund ende.

Faktikisht, kalimi në rrugën e ekonomisë së tregut, në vitet ‘90, u shoqërua me mbylljen e industrive dhe aktiviteteve jorentabël, rritjen e nivelit të papunësisë, varfërisë dhe emigracionit. Zhvillimet e reja u shoqëruan edhe me thellimin e pabarazive ekonomike dhe sociale dhe krijimin e grupeve dhe individëve të ekspozuar ndaj rrezikut të përjashtimit social. Por, ajo që trishton sot, është se varfëria në këtë fillim shekulli në Shqipëri ka prekur edhe moshën e re.

Sipas statistikave vetëm 10 % e popullsisë së varfër janë të moshës 60 vjeç e lart. Në të kundërt me popullsinë e të rinjve, që ose është e papunë, ose varet prej familjes, pensionistët kanë të paktën një të ardhur minimale (pension të garantuar nga shteti), që vjen si rrjedhim i politikës së punësimit të plotë gjatë viteve të kaluara të komunizmit për të dyja gjinitë. Ndonëse këto pensione nuk janë të larta, përsëri në shumicën e rasteve pensionistë të tillë mbijetojnë disi.

Dhe, si për ironi, Shqipëria është sot anëtare e shumë institucioneve dhe organizmave ndërkombëtare si p.sh: Banka Botërore, Fondi Ndërkombëtar Monetar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), UNICEF, PNUD, Këshilli i Europës, OSBE etj. Ndihma e huaj është përkufizuar si grante ose kredi, po ku shkojnë gjithë këto donacione? A kanë shkuar ato në rritjen e mirëqenies së këtij populli fukara? Jo!

Që nga ndryshimi i pushteteve vendi ynë ka përfituar shumë grante e ndihmë nga qeveritë e vendeve të huaja, si dhe nga institucione e organizata jofitimprurëse të këtyre vendeve. Sigurisht, Shqipëria duke qenë një vend në zhvillim, nëpërmjet programeve dhe projekteve të ndryshme, këto vende e organizata kanë investuar shumë për të ndikuar në zhvillimin e vendit dhe zbutjen e varfërisë. A është ulur varfëria në vend apo është shtuar korrupsioni?

Të gjithë e dimë tashmë, se çfarë ka ndodhur. Varfëria duhet të mbetet shqetësimi i politikës shqiptare, sepse shkalla e varfërisë është nga më të lartat në Europë. Dhe, besoj se problemi i njerëzve të varfër dhe raporti ndërmjet tyre dhe të pasurve nuk është thjesht çështje ekonomike, apo problem teknik, që mund të zgjidhet menjëherë apo që duhet trajtuar vetëm duke hartuar plane të ndryshme veprimi në luftën kundër varfërisë. Ky problem kërkon seriozitet dhe politika strategjike afatgjata për t’i dhënë frymëmarrje vendit e çliruar qytetarët e shumtë nga varfëria e përditshme.

A ekziston një lidhje e ngushtë midis politikave të qeverisë së vendit dhe niveleve të varfërisë së tij? A është realisht kaq e rëndësishme politika që ndiqet dhe, a ka kjo një ndikim të drejtpërdrejtë mbi varfërinë? Sigurisht që po! Qeveria është aktori kryesor që ka ndikimin më të madh në zbutjen e varfërisë me anë të politikave sociale. Politikat e saj ndikojnë drejtpërdrejtë si dhe tërthorazi mbi jetën e çdo qytetari të vendit sistematikisht.

Nga shifrat statistikore, gjatë vitit 2016 në Shqipëri janë shtuar dukshëm të varfrit, kurse mbi 60% e pasurisë në vend është gllabëruar vetëm nga 4% e njerëzve të pasur. Ky është një polarizim i madh që sjell çekuilibra e tensione sociale. Ky polarizim i shoqërisë shqiptare po shthur lehtë familjet dhe lidhjet e gjakut, aq bukur të strukturuara në dekada me radhë.

Prandaj, koha kërkon që të mund të rishikohen dhe të ridimensionohet roli i qeverisë, raportet e këtij ndikimi shtetëror me veprimin e tregut, sepse, siç duket, varfëria ka marrë trajta dhe forma më dinamike, të papërcaktueshme, saqë ndonjëherë, në media investigative me shqetësim kemi ndjekur “live” pamje “migjeniane” në disa zona të largëta të vendit tonë. Kjo na frikëson pa masë…

Brezat po ndihen çdo ditë e më të pasigurtë, ndaj dhe preferojnë të largohen nga Shqipëria, e cila po plaket nga dhimbja e varfëria në rritje.

Shkrim i pulbikuar në Gsh.al: https://goo.gl/gvbpLL
/l.k/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest