Kryeministri kanadez kërkon falje për persekutimin historik ndaj LGBT

Foto: Justin Trudeau/The GuardianFoto: Justin Trudeau/The Guardian

 

Justin Trudeau ka kërkuar falje për veprimet armiqësore të zhvilluar nga qeveria për dekada me radhë për të mbajtur personat LGBTQ larg shërbimit ushtarak ose atij shëndetësor, duke e quajtur këtë “mësymje” ndaj komunitetit LGBT një turp kolektiv.

Nga viti 1950 deri në fillimin e viteve 1990, qeveria kanadeze mori në pyetje nënpunës civil të cilët dyshoheshin se ishin gej ose transgjinorë. Me mijëra persona në shërbimin publik ose në shërbimin ushtarak u pushuan nga puna ose u detyruan të largoheshin nga puna  për shkak të këtij paragjykimi të parashtruar si motiv.

Duke folur në parlament kryeministri kanadez u shpreh se ky lloj “persekutimi” ndaj personave gej nuk ndryshon shumë nga gjuetia e shtrigave.

“Kjo është historia e tmerrshme e personave që u cilësuan si kriminelë nga qeveria – njerëz që humbën mjetet për të mbijetuar, dhe në disa raste edhe vetë jetët e tyre. Ky lloj persekutimi nuk përbën një praktikë të së shkuarës pasi ka ndodhur sistematikisht në Kanada, me një shtrirje kohore më të gjatë nga ajo çfarë pranojmë ne… ” u shpreh kryeministri kanadez.

Trudeau theksoi se shërbimi publik dhe ai ushtarak së bashku me policinë kanë përgjuar njerëzit, brenda dhe jashtë punës. Ai u shpreh se kanadezët janë monitoruar për çdo detaj ose të dhënë që perceptohej si sjellje homoseksuale. Ai shpjegon se vetëm kur qeveria gjykonte se kishte grumbulluar material të mjaftueshëm atëhere të dyshuarit merreshin në pyetje veçmas.

“Për shkak të turpit, dhimbjes dhe pendesës së thellë për gjërat që kemi bërë në të kaluarën unë po qëndroj këtu sot për të thënë: Ne ishim gabim. Ne kërkojmë falje” tha Trudeau në fjalimin e tij të shoqëruar me ovacione.

Qeveria kanadeze ka rezervuar fondin prej 78 milionë dollarësh amerikanë për planin e kompensimit të ish-punonjësve nga agjensi federale si edhe nga ushtria, karrierat e të cilëve u prenë përgjysëm për shkak të paragjykimit me bazë orientimin seksual.

“Ata u arrestuan qëllimisht dhe në formë hakmarrëse, si edhe u turpëruan publikisht pasi emrat e tyre dolën në gazeta për ti poshtëruar publikisht. Jetët e tyre u shkatërruan dhe në rastin më të keq janë regjistruar dhe shumë tragji” u shpreh Trudeau./k.m/

Burimi: The Guardian

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest