Përmbytjet: Digat si minë me sahat, asnjë Bashki nuk investoi për to

auto_permbytjet_ne_shqiperi_kompesim_per_te_gjithe_familjet_61512142416

 

Vërshimi i menjëhershëm i ujit dhe përmbytjet në disa zona të vendit, treguan edhe një herë mungesën e kapaciteteve për t’i përballuar dhe problemet me menaxhimin e digave në bashkitë e vendit.

Pas miratimit të reformës territoriale, infrastrukturat e ujitjes, kullimit dhe personelet e institucioneve përgjegjëse për to kaluan si kompetencë nga Ministria e Bujqësisë tek Bashkitë. Por këto të fundit nuk kanë bërë asgjë për të forcuar infrastrukturën e digave, të cilat janë konsideruar si mina me sahat.

Nga 650 diga që gjenden në të gjithë vendin, është ndërhyrë në vetëm 14. Burime nga KKDM (Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha) thanë për “Monitor” se bashkitë nuk kanë propozuar asnjë ndërhyrje për digat, edhe pse ky institucion i ka kërkuar 61 bashkive në vend, edhe me formë shkresore, që të ngrejë për çdo rezervuar dhe digë një njësi teknike që do të merret me menaxhimin.

“Për këtë kërkesë nuk kemi marrë ndonjë reagim domethënës. Nga raporti që bëmë ne në 2016, asnjë nga njësitë e qeverisjes vendore nuk ka sjellë ndonjë projekt ndërhyrjeje”, citohen burime nga KKDM.

Një situatë problematike e pranon edhe vetë Ministria e Bujqësisë. Në strategjinë e Ujitjes dhe Kullimit të publikuar në maj të këtij viti, nënvizohet se në pjesën më të madhe të digave kërkohet ndërhyrje. “Nga vlerësimet e bëra për gjendjen teknike të 626 digave, rezulton se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente si për sa i takon sigurisë së digave ashtu edhe volumit të disponueshëm të ujit në rezervuarë”, thuhet në këtë strategji.

Foto: Harta e 650 digave nën administrim vendor 

harta-e-digave

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest