ERA: Turqia të tërheqë mbrapsht ndalimin e aktiviteteve LGBTI

Foto | ERA - LGBTIFoto | ERA - LGBTI

 

Shtypja dhe shkelja e të drejtave të komunitetit LGBTI u theksua më tepër gjatë muajit nëntor në Turqi. Pas deklaratës së Presidentit Erdogan në 9 nëntor se ekzistenca e personave LGBTI bie ndesh me moralin e shoqërisë, zyra e guvernatorit të Ankarasë i ka pezulluar të gjitha aktivitetet me fokus komunitetin LGBTI në zonën e Ankarasë për një periudhë të papërcaktuar.

Ky ultimatum është ndjekur edhe në qytete të tjera të Turqisë si Bursa, Izmir, Kocaeli dhe Mardin ku aktivitetet me fokus LGBTI janë të ndaluara. Në 25 nëntor këto lloj aktivitetesh u pezulluan edhe në Stamboll, qytetin më të madh të Turqisë. Sipas survejimit të bërë të situatës në Turqi, ky lloj ultimatumi është shoqëruar me një valë raportimi anti-LGBTI nga ana e dhjetëra gazetave vendase.

Në dy vitet e fundit shihet një përkeqësim i të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes dhe tubimeve për personat LGBTI në Turqi. Regresi shënohet që prej qershorit të vitit 2015 kur autoritetet zyrtare pezulluan Paradën e Krenarisë dhe për rrjedhojë policia sulmoi pjesëmarrësit që tentuan të vijojnë me Paradën. Që prej atëhere paradat e Krenarisë janë ndaluar me ligj në Stamboll si edhe në qytete të tjera.

Edhe në këtë pikë autoritetet lokale kanë ndërmarrë masa të tjera shqetësuese duke i ndaluar aktivitetet si shfaqje filmi, ekspozita, forume, panele diskutimi si dhe takime mes grupeve LGBTI, duke cënuar rëndë lirinë e mbledhjes, shprehjes dhe tubimit. Autoritetet i kanë argumentuar këto masa shtrënguese si “sigurimi i shëndetit publik dhe moralit” si edhe “mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njerëzve të tjerë”.

Organizata ombrellë e organizatave LGBTI në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë – ERA, në emër të organizatave anëtare në Turqi i kërkon komunitetit ndërkombëtar të jetë më vokal ndaj shkeljes së të drejtave themelore të njeriut në Turqi.

“Institucionet Ndërkombëtare që kanë shprehur qartë mbështetjen për të drejtat e personave LGBTI duhet të dialogojnë me autoritetet turke, duke kërkuar kthimin mbrapsht të ultimatumeve të vendosur nga autoritetet e Turqisë… Është e rëndësishme t’iu kujtojmë të gjithëve se Turqia është një nga pionieret e nënshkrimit të mekanizmave të rëndësishme për të drejtat e njeriut si Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut; Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike etj”, shkruhet në kërkesën e ERA-s. /k.m/

Burimi: LGBTI Equal Rights Association – ERA – LGBTI

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest