Kosovë: Largohet nga jeta gruaja si pasojë e dhunës fizike nga bashkëshorti

Burimi: Ekonomia online/KosovëBurimi: Ekonomia online/Kosovë

 

Policia vendase në Kosovë ka bërë me dije se një grua është larguar nga jeta ditën e djeshme si pasojë e dhunës fizike të ushtruar mbi të nga bashkëshorti. E ndjera e kishte raportuar sulmin fizik në datën 17 nëntor dhe më pas është shtruar në spital për të mjekuar lëndimet e marra por nuk ka mundur dot tia dalë pasi një javë më pas ajo ka ndërruar jetë.

Ndërkohë në konferencën me temë ‘‘Roli i burrave në parandalimin e dhunës në familje‘‘ zhvilluar në Prishtinë këto ditë në kuadër të aktivizmit kundër dhunës gjinore z/v drejtori i Policisë së Kosovës Naim Rexha ka treguar për ngritjen e një sektori për ofrimin e ndihmës ndaj personave që kanë pësuar dhunë në familje:

‘‘Dhuna në familje është më e përhapura e cila ndikon jo vetëm tek ata që abuzohen por ka një efekt negativ tek anëtarët e tjerë të familjes, fqinjësisë dhe bashkëpunëtorëve. Në Policinë e Kosovës kemi ngritur një sektor të veçantë për ti ardhur në ndihmë viktimave duke ndihmuar komunitetet për të parandaluar dhunën dhe për të ndihmuar personat që shkaktojnë dhunë për ta ndryshuar sjelljen e tyre‘‘.

Në konferencë ishte pjesëmarrëse dhe drejtuesja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusa e cila u shpreh se nisur nga studimet pranë agjensisë është arritur konkluzioni se Kosova mbetet mbrapa në parandalimin e dhunës në familje. Ja si shprehet ajo:

‘Dhuna në familje është brengë e përhershme e Qeverisë kosovare. Pushteti lokal duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Qendra për Punë Sociale është duke u ballafaquar me kriza të ndryshme. Ndihma për viktimat nuk duhet të vijë vetë nga qendra por edhe nga pushteti lokal i cili ka barrën kryesore për këtë qendër‘‘.

/k.m/

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest