Turqia ndalon të gjitha aktivitetet e LGBT në kryeqytet ‘’për të mbrojtur sigurinë publike’’

ankara-lgbt
*Një aktiviste valëvit flamurin LGBT përpara godinës së gjyqit në Stamboll në mbështetje të aktivistëve që u gjobitën në demonstratën e vitit të kaluar për LGBT.

Turqia ka ndaluar kategorikisht në Ankara të gjitha aktivitetet e organizuara nga grupet që lobojnë për të drejtat e lezbikeve, gejve, biseksualëve, transgjinorëve dhe personave interseks.

Zyra e Guvernatorit të Ankarasë ka shpallur se shfaqja e filmave, shfaqjeve teatrale për LGBT si edhe aktiviteteve të ngjashme rrezikojnë shëndetin dhe moralin e shoqërisë, si edhe cënojnë të drejtat dhe liritë e grupeve të tjera njerëzore. Në deklaratën zyrtare është artikuluar se disa grupe njerëzish mund të ndihen të provokuar nga aktivitetet e LGBTI dhe të arrijnë deri në ndërmarrjen e aksioneve kundër pjesëmarrësve të këtyre aktiviteteve për shkak të ‘’ndjeshmërisë sociale’’.

Kufizimet do të hyjnë në fuqi pas të shtunës dhe do të zbatohen për një periudhë kohore të papërcaktuar. Kjo masë shtrënguese do të vlejë për të gjitha ekspozitat, shfaqjet teatrale, shfaqjet e filmave me fokus komunitetin LGBT.

Ndryshe nga shumë vende myslimane, homoseksualiteti nuk përbën krim në Turqi dhe shumë shoqata lobuese për LGBT janë të regjistruara ligjërisht në shtet. Gjithsesi armiqësia dhe klima e ‘’ashpër’’ dominon, e pohuar kjo nga aktivistët LGBT të cilët shprehen se ballafaqohen me stigmën sociale dhe diskriminimin.

Autoritetet në Ankara e kanë ndaluar edhe më përpara shfaqjen e një filmi gjerman gjatë një festivali filmi, vetëm një ditë përpara se ai të shfaqej duke argumentuar se kjo masë ndërmerrej për shkak të sigurisë publike dhe frikës nga terrorizmi. Organizatorët e ‘’Pink Life Queerfest’’ u shprehën se kjo lloj ndalese cënon të drejtat e tyre kushtetuese duke i kthyer në qytetarë të dorës së dytë.

Ndërkohë paradat gej në Stamboll janë ndaluar dy vitet e fundit. Në qershor 25 aktivistë dhe mbështetës të LGBT u arrestuan pasi morën pjesë në një marshim parade të ndaluar nga autoritetet publike. Më vonë ata u gjobitën për shkak të marrjes pjesë në një demonstratë të paautorizuar.

Qeveria lokale e Stambollit e ka pezulluar demonstratën në minutën e fundit me motivin se ky lloj manifestimi mund të provokojë dhe përçajë rendin publik. Forcat policore mbërritën në demonstratë duke e ndaluar aktivitetin, ku organizatorët e demonstratës kishin vijuar me zhvillimin e demonstratës pavarësisht rrethanave.

‘’ Siguria jonë nuk mund të zgjidhet duke na burgosur mbrapa mureve, duke na fshehur,’’ shprehen organizatorët.’’ Siguria jonë mund të sigurohet duke na njohur në Kushtetutë, duke siguruar drejtësi, barazi dhe liri të barabarta’’.

Nuk ka munguar dhe deklarata e dy organizatave në Ankara për të drejtat e komunitetit LGBT: Kaos GL dhe Pink Life. Në deklaratë këto organizata shprehin pezmatimin e tyre në lidhje me masat shtrënguese nga Zyra e Guvernatorit në Ankara.

‘’Me këtë lajmërim  vetë administrate civile po kërcënon sigurinë publike duke i kthyer personat LGBTI dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të sferës publike, në target në vend që të përmbushi detyrën qeveritare për të siguruar sigurinë publike për të gjithë qytetarët e saj’’.

Në këtë deklaratë organizatat vijnë njëzëri me një kërkesë:

‘’ Ne presim që ky vendim i marrë të ri-mendohet dhe të tërhiqet mbrapsht sa më shpejt të jetë e mundur. Në vendin tonë ku diskriminimi dhe urrejtja me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor vazhdon të dominojë, mbetet detyra e administratës lokale dhe asaj kombëtare që ta luftojë diskriminimin dhe urrejtjen’’./k.m/

Burimi: The Independent

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest