Marshuan në këmbë drejt Tiranës, banorët e Zharrëzës do të marrin dëmshpërblimin e parë

16992074_1271787339576030_4620223771885439199_o
Foto: Banorët e Zharrëzës mbërrijnë në Tiranë pas 4 ditësh marshim/ Historia Ime

Banorët e fshatit Zharrëz në Fier, të cilët në muajin shkurt marshuan për 4 ditë rreth 126 Km drejt Tiranës në shenjë proteste, do të marrin dëmshpërblimin e parë për kauzën e tyre.

Rreth një vit më parë, banorët nisën protestën, pasi tronditjet e fuqishme të tokës nga kërkimet për naftë i dëmtuan shtëpitë.

Ndërsa sot, qeveria ka vendosur që Bashkia Patos dhe Bashkia Roskovec të kenë një shtesë fondi prej 175 165 885 lekësh për dëmshpërblimin e 72 familjeve shtëpitë e të cilave janë shkatërruar nga lëkundjet e tokës në fshtrat Zharrëz, Dukas dhe Marinëz.

Shuma që i është akorduar Bashkive përbëhet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit në masën prej 73 992 071 lekë dhe nga kompania Bankers Petroleum në masën prej 101 173 814 lekë.

Marshimi i banorëve të Zharrëzës, erdhi pas një sërë protestash dhe një greve të gjatë urie.

“Gjithsesi kjo fitore mbetet e pjesshme, deri kur të përfundojë kompensimi i të gjitha familjeve për të gjitha dëmet e shkaktuara nga kompania e nxjerrjes së naftës”, thuhet në njoftimin e publikuar nga “Nisma#Thurje”, mbështetëse e marshimit të banorëve.

/l.k./

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest