Libri mbi gratë shqiptare në Itali, mes emigrimit, traditës dhe modernitetit

21770354_1488527044569415_7182953410918875136_n
Foto: Kopertina e librit “Donne d’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernita”

Gratë shqiptare emigrante në Itali dhe emancipimi i tyre, ka qenë fokusi i prezantimit të librit “Donne d’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernita” (Gratë e Shqipërisë. Mes emigrimit, traditës dhe modernitetit).  I konceptuar si një antologji refleksionesh dhe shkrimesh kritike mbi emancipimin e gruas dhe vajzës shqiptare në emigracion, libri sjell zëra të grave italiane dhe shqiptare për ndihmën që sjell bashkëpunimi italo-shqiptar në integrimin e gruas në sferën publike.

Ky libër është kuruar nga Rando Devole, sociolog dhe Claudio Paravati, drejtues i “Confronti” revistës italiane me fokus politikën, shoqërinë, fenë dhe dialogun midis tyre. Prezantimi  i librit  u bë në Hotel “Tirana International” duke u pasuar nga një panel diskutimi ku u ndanë përshtypjet mbi librin dhe figurën së gruas në shoqërinë shqiptare.

I pranishëm ishte dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Z. Alberto Cutillo. Në fjalën e tij hyrëse ai foli për mirë – integrimin e grave shqiptare sot në Itali në ndryshim nga e kaluara kur ishin të paragjykuara, si dhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit italo-shqiptar për vazhdimësinë e integrimit. “Situata e sotme nuk është e kënaqshme për afirmimin e gruas në Shqipëri ndaj po zhvillohet më tej kooperimi midis Italisë dhe Shqipërisë”, u shpreh ambasadori italian.

Në fjalën e saj si eksperte mbi emigracionin dhe dinamikat e tij, Anila Husha solli të dhënat statistikore për komunitetin shqiptar rezident në Itali, specifikisht për gratë shqiptare rezidente. Një prej gjetjeve interesante nga të dhënat është dhe dalja në pah e grave shqiptare në emigracion si shkrimtare, gazetare, avokate, mjeke, fotografe, punonjese shkencore etj.

Konkretisht shifrat tregojnë më poshtë se:

  • Në Itali janë 33,307 biznese që drejtohen nga sipërmarrësit shqiptarë, mes të cilave rreth 4000  kanë drejtuese gra
  • 20% e grave sipërmarrëse shqiptare  në Itali janë me diplomë universitare kundrejt 12% të kolegëve meshkuj;
  • Në total janë rreth 100 mijë gra emigrante sipërmarrëse në Itali përbëjnë 16% të të gjithë biznesit femëror;

Problemi i dhunës ndaj grave u artikulua gjatë këtij takimi. Në të u theksua se sikurse gratë italiane edhe ato shqiptare rezidente në Itali janë vulnerable ndaj dhunës. Gratë shqiptare kanë diskriminim të dyfishtë, si emigrante dhe si gra. Një fenomen negativ është dhe feminicidio (vrasja e grave nga bashkëshorti) që shoqëron pengesën e procesit të emancipimit të saj. Kryesisht u fol se gratë shqiptare zotërojnë leje qëdrimi për bashkim familjar, një leje kjo që i bën të varen nga bashkëshorti. Kjo i demotivon gratë të denoncojnë bashkëshortët e tyre në rast abuzimi fizik e psikologjik.

Diskutimi pas prezantimit të librit solli në vëmendje se eksperienca migratore ofron ndryshime të mëdha të modeleve kulturale mbi rolin e gruas në identitetin vetjak, familje dhe shoqëri. Këto gra emigrante sjellin një ndërmjetësim midis shtetit ku emigrojnë dhe shoqërisë shqiptare.

/k.m/

 

 

 

 

 

 

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest