Veliaj i premton Boris Dittrich financimin e Strehës LGBT

Në foto: Boris Dittrich, Drejtues Advokimi i Programit LGBT me stafin e STREHA | Foto: HRWNë foto: Boris Dittrich, Drejtues Advokimi i Programit LGBT me stafin e STREHA | Foto: HRW

*Nga Boris Dittrich, Drejtues Advokimi i Programit për të Drejtat e Personave LGBT, pranë Human Rights Watch

Psikologia e “STREHA”, një qendre rezidenciale për të rinjtë LGBT të pastrehë në Shqipëri, priti për mua pranë një rruge jo kryesore në qendër të Tiranës.  “Askush nuk e di adresën tonë, duam të shmangim zjarrvëniet e qëllimshme apo ndonjë dëmtim tjetër”, rrëfen ajo.

Më pas shkuam drejt Strehës dhe sapo hymë, psikologia më tregoi dy dhomat e gjumit të pajisura me krevat marinari si dhe më ftoi drejt dhomës së ndenjies për t’u takuar me disa prej të rinjve të strehuar pranë qendrës.

Rajan, një djalë 18 vjeçar më tregoi historinë e tij duke rrëfyer për dëbimin nga shtëpia që i bëri familja. “Kur iu tregova prindërve të mi se isha gej babai më rrahu. Ndërsa mamaja mori një qese plastike, e mbushi me ushqime e rroba dhe më përzuri nga shtëpia. Nuk kisha ku të shkoja pasi nuk kisha para. Në shkollë nuk guxova të shkoj për shkak të bullizmit që hasja nga bashkëmoshatarët. Dhe kështu përfundova punonjës seksi në mënyrë që të mbijetoja. Përmes disa njohjeve mësova për ekzistencën e kësaj strehe sociale”.

Rajan ka gjetur qetësinë mendore të munguar prej kohësh pranë kësaj strehe ku ai ka bërë miq të rinj, teksa merr veten nga trauma që ka kaluar. Në Shqipëri është miratuar Ligji kundër Diskiminimit, zhvillohen rregullisht paradat gej, por prapë-së-prapi homofobia dominon në vend.

Një tjetër djal i ri me emrin Valmir më tregoi historinë e tij të jetës me një buzëqeshje në fytyrë. “Eksperienca ime është e ngjashme me atë të Rajanit. Falë punës së punonjësve social këtu, jeta ime është kthyer në rrugën e duhur. Pas qëndrimit tim gjashtë mujor, arrita të gjej një apartament të vogël si edhe punë si gazetar. Ndërsa tani ndihmoj tek STREHA si vullnetar’’.

Stafi i STREHA më shpjegoi pak për qendrën e cila iu vjen në ndihmë të rinjve LGBT të moshës 18 – 25 vjeç të cilët janë dëbuar nga familja. Kjo strehë është ngritur përmes donacioneve nga Ambasada amerikane dhe britanike. Sot edhe Ambasada holandeze e mbështet, por pavarësisht suportit të tyre, qendra ndeshet me problemin e mungesës së fondeve.

Atë pasdite zhvillova një takim më kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në këtë takim i tregova për mbresat që pata nga vizita tek STREHA dhe e pyeta nëse Bashkia mund ta mbështesë financiarisht.  “Po”,  më tha. “Ata mund të më sjellin një propozim dhe ne mund të gjejmë fonde për këtë lloj shërbimi  social”.

Në mbrëmje u ritakova me Valmirin, Rajanin si edhe stafin e strehës në hapjen e ekspozitës “LGBTI Pride Photo Award” në galerinë “Zeta”, organizuar Komiteti Shqiptar i Helsinkit në bashkëpunim me Ambasadën holandeze. Ata po qëndronin pranë një serie fotosh të një transgjinoreje franceze, ku shihej transformimi i saj në gjininë tjetër përgjatë viteve. Në njërën prej fotografive prindërit ishin duke e përqafuar vajzën dhe kjo fotografi kishte marrë vëmendjen e vizitorëve të galerisë.  “Mesa duket jo të gjithë prindërit i nxjerrin nga shtëpia fëmijët e tyre”, komentoi Rajani teksa vështronte foton. Më në fund iu tregova për lajmin e mirë që vinte nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. “Le të shpresojmë se do ta mbajë premtimin”, u shpreh Valmiri.

Duke gjykuar se “coming out” konsiderohet akoma si akt i rrezikshëm për tu ndërmarrë në vende si Shqipëria, nevoja për një qendër rezidenciale ku të rinj pjesë të komunitetit LGBT strehohen përbën një nevojë emergjente./k.m/

 

Përkthyer nga Human Rights Watch

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest