Studimi, ERRC: Të jetuarit pa dokumenta po ndikon rrënjësisht jetën e shumë personave rom

roma belong

”Të jetuarit pa dokumente është duke ndikuar rrënjësisht jetën e shumë personave rom”, tregon raporti “Përkatësia Rome – Pa shtetësia, Diskriminimi dhe Margjinalizimi i Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë”, i hartuar nga Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC), Instituti i Pa shtetësisë dhe Përfshirjes Sociale (ISI) si dhe Rrjeti Evropian mbi Pa shtetësinë (ENS).

Tre shtyllat kryesore të studimit janë diskriminimi sistematik dhe përjashtimi i romëve, barrierat për aksesin në sistemin e drejtësisë dhe sfidat burokratike nga sistemet komplekse administrative dhe procedurale. Shkaku më i shpeshtë i rrezikut të mbetjes pa nënshtetësi të komunitetit rom si një nga komunitetet më të varfra dhe margjinalizuara në shoqëritë e vendeve të studiuara, ka të bëjë me mungesën e aksesit në regjistrimin civil dhe regjistrimin e lindjeve në veçanti.

Në Shqipëri, sipas Censusit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, 7,443 persona janë vetidentifikuar si pa shtetësi, por nuk ka një ndarje sipas etnisë dhe nuk ka të dhëna ekzakte sa i përkasin komunitetit rom. Kryesisht mungesa e shtetësisë së komunitetit rom në vendin tonë vjen si pasojë se iu mungon dokumentacioni i kërkuar për të përmbushur kërkesat ligjore jo vetëm për regjistrimin e lindjeve por edhe të vdekjeve, martesave, vendbanimeve etj. Refuzimi i herëpashershëm i aplikimeve për regjistrim, ka rritur rrezikun e mbetjes pa nënshetësi të komunitetit rom.

Raporti në fjalë i bën thirrje qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës të fokusohen në çështjen e mungesës së dokumenteve tek personat rom. Nevoja për reformim është urgjente në mënyrë që të përshpejtohen procedurat e regjistrimit civil, që edhe komuniteti rom të jetë i regjistruar e të ketë identitetin dhe kombësinë e tij. Për shkak të këtij problemi, me mijëra persona nga komuniteti rom hasin vështirësi për të marrë shërbime bazë si edukimi dhe shërbimet shëndetësore.

Të tjera rekomandime për qeveritë e vendeve janë:

  • Të sigurojnë që të gjitha detyrimet ndërkombëare që kanë të bëjnë me të drejtën për nënshtetësi, mbrojtjen e personave pa shtetësi, mosdiskriminimin dhe regjistrimin e lindjeve të jenë të jenë të përfshira plotësisht në ligjet kombëtare dhe të zbatohen në praktikë.
  • Të ndërmarrin hapa konkrete për të thjeshtuar procedurat e ndërlikuara të regjistrimit civil duke përfshirë edhe ato që pengojnë komunitetin rom për të regjistruar lindjen e fëmijëve.
  • Në zbatimin e Planeve Kombëtare të Veprimit, qeveritë duhet të sigurojnë që aksesi ligjor të jetë gjithëpërfshirës dhe të garantojë regjistrimin universal, të lirë dhe të menjëhershëm të lindjes për çdo fëmijë, pavarësisht nga statusi i prindërve, dokumentacioni etj.

Të gjitha vendet e përfshira në kërkim janë pjesë e Këshillit të Evropës dhe kanë ratifikuar konventat kryesore që lidhen me nënshtetësinë dhe të drejtat e njeriut. Gjithashtu të gjitha shtetet (Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedoni, Serbi dhe Ukrainë) janë subjekt i shqyrtimit nga Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës. Raporti i bën thirrje Komisionit Evropian të jetë më vokal për çështjet e komunitetit rom duke e kthyer në një çështje prioritare për vendet që negociojnë për anëtarësim në BE. /m.g/

Lexoni raportin e plotë këtu.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest