Shqiptarët, të parët në rajon për rryshfet ndaj tatimeve dhe doganave

Rryshfet-foto-ilustruese-657x350

Korrupsioni është një shkak i lartë për informalitet në pagesën e detyrimeve tatimore në Shqipëri, më shumë se gjysma e bizneseve pohojnë të kenë bërë pagesa korruptive këtë vit. 

Barometri i Ballkanit gjeti në një anketim të bërë me bizneset në rajon se kompanitë në Shqipëri bëjnë pagesa korruptive për të mos paguar taksat, më shumë se vendet e tjera rë rajonit.

Rreth 55% e bizneseve raportuan për 2017-n se bënë pagesa korruptive gjithmonë, ndonjëherë, ose vazhdimisht. 25% i tyre i bënin këto pagesa në mënyrë periodike dhe 5% e bizneseve kanë pohuar se gjithmonë u paguajnë tarifa korrupsioni inspektorëve të tatimeve dhe doganave dhe 28% paguajnë ndonjëherë.

Në vitin 2016, sipas Barometrit të Ballkanit, situata ka qenë edhe më alarmante, pasi 70% e bizneseve në Shqipëri kanë pohuar se bënë pagesa korruptive ndaj punonjësve të administratës fiskale, gjithmonë, shpesh ose ndonjëherë.

Nivel të lartë pagesash ka edhe Kosova, por pjesa më e madhe e bizneseve pohojnë se paguajnë ndonjëherë ryshfet.

Në vendet e tjera të rajonit, përqindja e bizneseve që japin ryshfet kundrejt mospagesës së taksave ka qenë më e ulët. Bosnja dhe Kroacia kishin renditjen më të mirë në këtë drejtim, ku mbi 85% e bizneseve në këto vende kanë pohuar se nuk kryejnë pagesa korruptive, kundrejt një pakicë biznesesh që japin shumë rrallë ryshfet për punonjësit e fiskut.

Renditjen më të mirë e kanë pasur edhe Maqedonia dhe Mali i Zi, bizneset e të cilave kanë raportuar se bëjnë pagesa të rralla ryshfeti, kundrejt Serbisë ku një përqindje më e madhe e bizneseve raportojnë se bëjnë rregullisht pagesa korrupsioni për punonjësit e fiskut.

/l.k./
Burimi: Monitor

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest