Raporti: Personat me aftësi të kufizuara u privuan nga e drejta e votës në 25 qershor

19442033_1401450053276424_1073751115725691013_o
Foto: Historia Ime/ Gjatë zgjedhjeve parlamentare 2017, Konvikti i shkollës së Medresesë, Shkodër

Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, ka bërë publik një raport me rezultatet e  vëzhgimit të bërë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në lidhje me të drejtën e votës për zgjedhësit me aftësi të kufizuar. Edhe pse është vënë re një përmirësim i qëndrimit të komisionerëve në qendrat e votimit, raporti thekson një sërë parregullsish në lidhje me ofrimin e të drejtës së votës ndaj PAK. Vëzhgimi është realizuar ditën e votimit në 117 qendra votimi në katër rajone të vendit – Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë nga vëzhguesit e ADRF ku 70% ishin persona me aftësi të kufizuara ose familjarë të tyre.

Një nga problemet kryesore vazhdon të mbetet aksesi në qendrat e votimit. 62.3% e qendrave në katet e para kishin vetëm hyrje me shkallë ndërsa 19.1% e qendrave të votimit të monitoruara, ishin vendosur në katet e dyta dhe të treta dhe ku nuk ofrohen lehtësira për ngjitjen (Fig. 3).Untitled

Gjatë këtyre zgjedhjeve, 82.9% e qendrave nuk ishin pajisur nga KQZ me dhomë fshehtësie të përshtatur për përdoruesit e karrigeve me rrota. Shkodra ishte qyteti me numrin më të madh të qendrave të votimit të pajisura me 23 dhoma të fshehta të përshtatura 26.1%, kundrejt Elbasanit me vetëm 9.7% të qendrave të votimit të përshtatura.

82 nga 117 qendra të vrojtuara nuk ishin të pajisura me fletën e posaçme të votimit, për votuesit me vështirësi në shikim. Edhe në qendrat ku ky mjet u shpërnda, numri ishte i pamjaftueshëm dhe jo në përputhje me zgjedhësit me aftësi të kufizuara me probleme në shikim.

Po ashtu, 93,2% e personave me probleme dëgjimi nuk patën ndërmjetësimin e interpretit të gjuhës së shenjave për të pasur informacion plotësues gjatë votimit.

Një tjetër problematik lidhet me mos-identifikimin e personave me aftësi të kufizuar paraprakisht duke ndihmuar kështu njësit vendore për të marrë masa lehtësuese. Vetëm 14.5% e zgjedhësve me aftësi të kufizuara që votuan, ishin identifikuar paraprakisht si të tillë.

pakSipas INSTAT, në Shqipëri ka 134 mijë persona me aftësi të kufizuara në moshë votimi, ndërkohë gjatë procesit të vëzhgimit në 117 qendra votimi nga ADRF, u evidentua që morën pjesë në votim në total 381 persona me aftësi të kufizuara, ku në Tiranë votuan 150 persona, në Vlorë 27, në Shkodër 52 dhe në Elbasan 152 (Fig 6).

Çfarë thotë ligji shqiptar në lidhje me të drejtën e votës për PAK?

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si edhe Kodi Zgjedhor sanksionojnë të drejtën për të marrë pjesë në proceset zgjedhore si zgjedhës dhe si të zgjedhur, për të gjithë shtetasit, përfshirë këtu edhe zgjedhësit me aftësi të kufizuara.

Këto të drejta garantohen gjithashtu edhe nga Konventa e OKB për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara si edhe janë primare për zbatimin e Kodit Zgjedhor të përmirësuar që prej 2002. Megjithatë sipas ADRF, legjislacioni shqiptar vazhdon të ketë mangësi në disa fusha.

Në përfundim të vëzhgimit ndër të tjera ADRF ka rekomanduar:

  • përmirësime ligjore në Kodin Zgjedhor, për të siguruar pjesëmarrjen në votim të drejtpërdrejtë, të barabartë e të fshehtë për të gjitha kategoritë e zgjedhësve me aftësi të kufizuara;
  • shfuqizim i dispozitës që mohon të drejtën për të votuar të personave me aftësi të kufizuara në sferën e intelektit, pa zotësi juridike për të vepruar;
  • planifikime buxhetore për zgjedhësit me aftësi të kufizuara, për përshtatjen e qendrave të votimit, prodhimin e mjeteve për të verbrit si edhe për prodhimin e dhomave të fshehtësisë të përshtatura.
  • Ndërtimi i rampave në hyrje të objekteve me shkallë, ose heqjen nga lista të objekteve me shumë shkallë dhe qendrat e tyre të votimit të vendosen në të tjera objekte të përshtatura;
  • Zhvendosjen e të gjitha qendrave të votimit në katet e para të objekteve, ose në bazë të informacionit mbi shpërndarjen e vendbanimeve të PAK, të vendosin me prioritet qendrat ku ata votojnë në katet e poshtme të ndërtesave. /m.g/
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest