Autoriteti i Konkurrencës: Dyshime për oligopol mes kompanive celulare

IMG_2475_2017_09_25_18

Autoriteti i Konkurrencës ka publikuar përfundimet e Raportit të Hetimit Paraprak për tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Në këtë raport thuhet se nuk u gjetën prova direkte se tre kompanitë e mëdha celulare kanë bërë një marrëveshje në kundërshtim me ligjin, megjithatë dyshohet për oligopol.

Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi një hetim paraprak për të parë nëse tre kompanitë më të mëdha celulare kanë pasur shenja të kufizimit të konkurrencës. Në gjetjet e këtij raporti thuhet se nuk u gjetën prova direkte se tre kompanitë kanë bërë një marrëveshje në kundërshtim me ligjin, megjithatë dyshohet për oligopol.

Për këtë arsue Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të monitorojë tregun me pakicë të shërbimeve celulare për një periudhë një vjeçare duke filluar nga 1 tetori 2017.

Ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave të komunikimit:

Në Mars të vitit 2016 tre prej kompanive celulare kanë ndryshuar vlefshmërinë e paketave standard në harkun kohor të katër ditëve. Albtelecom më 15 mars 2016, Telekom në 21 mars dhe Vodafone dy ditë më vonë ndryshuan numrin e ditëve që paketat mbulonin duke e çuar atë nga mujor (30 ditë) në 4-javor (28 ditë).

‘Sjellja e mësipërme, mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në kuadër të informacionit të plotë ndaj konkurrentëve të tjerë dhe efekteve të tyre në njësi dhe tarifa Ky ndryshim i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim’- theksohet në raportin e Autoritetit të Konkurrencës që publikoi TemA TV.

Internet pa limit:

Në periudhën 24 Mars – 5 Prill 2017, tre operatorët kanë hequr opsionin e internetit “pa limit”, me shpejtësi të reduktuar. Sipas komunikimeve të operatorëve me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), shprehja “internet pa limit është hequr pasi krijon konfuzion tek përdoruesit të cilët presin të kenë internet me shpejtësi të lartë pa limit”.

Ky vendim i është komunikuar AKEP, 3 ditë pasi ka hyrë në fuqi, procedurë kjo konform afateve të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorëve”. Por Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se këto ndryshime i duhen bërë të ditura AKEP përpara se të hyjnë në fuqi në mënyrë që ky institucion të ketë mundësi të bëjë një vlerësim paraprak të tyre.

Çmimet e njësive të komunikimit dhe paketave

Në analizën e vitit 2016 AKEP ka evidentuar si problematike diferencën e lartë mes tarifave të konsumuara për njësi me tarifat e pagesave fikse që janë pjesë e ofertave. Tarfiat e thirrjeve jashtë paketave janë deri në 14 herë më të larta se vlera mesatare e thirrjeve (2.83 lek/ minutë).

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest