Skandali i “Librit të Dijes” dhe mungesa e dijes sonë mbi edukimin seksual

21688411_1746758398958921_1692691779494929498_o

Dy ditë më parë emisioni investigativ “Stop” denoncoi faktin se fëmijëve të klasës së tretë në shkollën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë u ishte rekomanduar të blinin një tekst të quajtur “Libri i Dijes”. Është për tu shqetësuar fakti se në mënyrë të përsëritur mësuesit shkelin rregullat duke i kërkuar fëmijëve të blejnë libra që nuk janë pjesë e kurrikulës mësimore me justifikimin se “duhet t’i lexojnë në kohën e lirë”.

Por vëmendjen më të madhe e mori një kapitull i këtij teksti i quajtur “Krijimi i Foshnjave” ku shpjegohet mënyra e riprodhimit dhe organet gjenitale të njeriut. Në emisionin “Stop” u tha se këto njohuri shpjegohen në mënyrë “aspak etike” dhe është e vërtetë se termat e përdorur lënë hapësirë për tu diskutuar, por duhet thënë se gjuha e përdorur në këtë libër është larg etiketimeve: “libri +18”, “me përmbajtje të fortë seksuale”, “libri skandaloz” që zunë titujt e portaleve një ditë më vonë, apo që “ka informacione aspak të nevojshme për fëmijët e moshave 9 ose 10 vjeç”, siç u tha në emision.

Sot në botë ka disa dhjetëra shtete të zhvilluara që kanë përfshirë në programin e shkollave edukimin seksual që në moshë fare të vogël. Një nga këto është Holanda. Prej disa vitesh Holanda implementon qasjen “Edukim Gjithëpërfshirës Seksual” të zhvilluar nga UNFPA. Një metodë që përfshin informacione shkencore të zhvillimit njerëzor, anatomisë, shëndetit riprodhues si edhe informacione mbi kontracepsionin, lindjet dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme duke përfshirë HIV.

Që në moshën 4-vjeçare fëmijët në kopsht kanë javën “Ethet Pranverore” (Spring Fever) e cila është e fokusuar vetëm tek edukimi seksual. Por nuk mbaron me kaq, kur janë 8 vjeç fëmijët njihen me veten e tyre, organet gjenitale dhe stereotipet gjinore. E ndërsa në moshën 11-vjeçare programi përfshin orientimin seksual dhe metodat kontraceptive.

Sipas ligjit holandez, të gjithë nxënësit e shkollave fillore duhet të marrin informacione mbi edukimin seksual. Sistemi lejon fleksibilitet në mënyrën sesi mësohet, por cilado mënyrë duhet të trajtojë siç duhet disa parime themelore si diversisteti seksual dhe siguria seksuale.

Edhe pse në fillim hasi mjaft debat si qasje, sot ka fituar vëmendje ndërkombëtarisht pasi Holanda është një nga vendet me numrin më të ulët të adoleshentëve që kanë kryer marrëdhënie seksuale në moshë të hershme. Vetëm 20% e adoleshentëve holandez kanë kryer marrëdhënie seksuale në moshën 15-vjeçare.

Sipas një studimi tjetër, të rinjtë holandez 12-25 që kanë kryer marrëdhënie seksuale thonë se hera e tyre e parë ka qenë “qejf dhe me dëshirë”, krahasuar me 66% të adoleshentëve amerikanë që përgjigjen se do të donin të kishin pritur më gjatë për të kryer marrëdhënie për herë të parë.

Kjo situatë na vendos përpara pyetjes. Mos ndoshta është më mirë të diskutojmë mbi mënyrën e duhur për t’i folur fëmijëve rreth edukimit seksual? Në këtë situatë jemi përpara dy zgjedhjesh. T’i flasim fëmijëve për seksin, apo të vazhdojmë ta trajtojmë si tabu, të rrethuar me mister dhe mungesë informacioni e cila mund t’ja shtojë më shumë kuriozitetin. /m.g/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest