Fëmijët shqiptarë braktisen në vendet e BE për të fituar azil

/Foto Ilustruese/Foto Ilustruese

Katër shtetas janë vendosur nën hetim për braktisje të të miturve në vendet e BE, me qëllim marrjen e azilit. Fëmijët e mitur udhëzohen që të deklarojnë se janë të braktisur e jetojnë në kushte të vështira, për të përfituar kështu nga shërbimi social që është i detyrueshëm në këto vende.

Sipas Top Channel, një raport i policisë italiane tregon se çdo muaj, mesatarisht 70 të mitur shqiptarë dorëzohen pranë shërbimeve sociale të deklaruar si të braktisur nga prindërit.

Avokati i popullit ka reaguar për këtë fenomen përmes një deklarate për mediat.

“Institucioni i Avokatit të Popullit apelon që zgjidhja e vetme e problemit të braktisjes masive të fëmijëve shqiptarë në rrugët e vendeve të huaja, të gjendet te kurimi i origjinës së problemit që e gjeneron këtë fenomen: varfërisë së skajshme, pabarazisë shoqërore dhe mungesës së theksuar të vëmendjes shtetërore për fëmijët dhe shtresat e tjera vulnerabël në vend”, thuhet në këtë deklaratë.

Avokati i Popullit nënvizon se është thelbësore që institucionet tona të tregojnë:

  • Kujdes dhe mbrojtje ndaj fëmijëve, siç parashikohet në Konventën për të Drejtat e Fëmijës.
  • Standarde më të larta të shëndetit dhe aksesin në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
  • Të drejtën për arsimim falas dhe të mundësueshëm për të gjithë fëmijët.
  • Asistencë të veçantë për prindërit dhe kujdestarët ligjorë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre për mirërritjen e fëmijëve.

Ndihmës-komisionerja për mbrojtjen e të miturve pranë këtij institucioni tha për Top Channel se të njëjtën skemë prindërit shqiptarë po e përdorin këtë skemë për fëmijët e tyre edhe në Britani e Francë.

Deri më tani, Gjykata e Tiranës ka dënuar dy shtetas, pasi, sipas hetimeve, rezultojnë nga sistemi TIMS të kenë udhëtuar jashtë vendit me fëmijët e tyre, por janë kthyer pas pa ta.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest