Fytyra e vërtetë e pabarazisë gjinore

wp-image-285955275 (1)

*Nga Marsida Simo

Ende sot shumë njerëz mund të qeshin kur flitet për të drejtat e grave, pabarazitë që ende ato kanë dhe pasigurinë e jetës. Madje jo vetëm merren me shaka këto diskutime, por shpesh përfundojnë me konkluzione se gratë mjaft kanë arritur dhe kaq.

Ka dhe nga ata ose ato që mendojnë se të drejtat e fituara i kanë të tepërta, sepse fundja ç ‘mund të kërkojnë më shumë gratë, apo duan të bëhen burra?! Ironi dhe nënqeshje gjejmë edhe nëpër emisione televizive ku temat mbi feminizmin transformohen si ide abstrakte dhe absurde. Ndërkohë që aty qeshet, diku jashtë një burrë me seriozitetin e tij i merr jetën një gruaje. Më tej analizohen edhe kronikat e dhunës apo përdhunimit, por sërish theksohet ideja se faji mbetet i viktimës.

I drejtojnë jo pak herë gishtin vajzës se ajo e joshi me fustan, shikim apo buzëqeshje duke e shfajësuar abuzuesin me justifikimin e natyrës mashkullore. Po ta mendojmë pak çfarë faji kanë ato vogëlushe që ende pa mbushur moshën shkollore abuzohen? E duke vijuar kështu, duket sikur shoqëria jonë po bëhet imune nga lajmet e dhunës apo dhe të vdekjes  duke ngritur supet sikur është fati që e ka në dorë.  Ky shekull i virtualitetit dhe shpikjeve të mëdha nuk e zhvilloi ashtu siç duhet njeriun brenda tij. Thelbin ja la po ashtu duke e kalbur, larg shpresës për përmirësim. Akoma gjejmë mendësi të prapambetura ku thuhet se të lindesh burrë është ende privilegj, ndërsa të jesh grua është taksirat i njëmijë gjërave që duhet të mbartësh, kafshime të qindra herëve të gjuhës për fjalët që ndalohen, të fshehjes së dëshirave aty në shpirt, të kapardisjes çdo minutë të ekzistencës. Këtë gjë madje e vërtetojnë edhe emrat e vajzave të reja të cilat që në lindje emrin e kanë Mbarime, Sose, apo Helme, pasi prindërit nuk u gëzuan aq shumë për gjininë  e tyre.

Jo vetëm kaq, por kushdo vajzë apo grua sot është e rrezikuar, qoftë ajo sanitare, rrobaqepëse, e papunë apo dhe gjyqtare. Është një rrezik që të fut ankthin dhe tmerrin duke menduar që një jetë gruaje vlen kaq pak nëse ashtu dëshiron apo i teket një burri. Mos iluziononi se duke parë gratë që shkojnë në punë, hipin urbanit e zbresin makinave kanë arritur mirëqenien që duhet. Mbrapa dyerve të shtëpive askush nuk sheh se sa shumë prej tyre iu kërkohet llogaria e çdo qindarke të shpenzuar apo minute të vonuar. Ka dhe disa prej tyre që punojnë, mbajnë familjen dhe sërish burrin ia quajnë shtyllën e shtëpisë, sepse ashtu e do zakoni.

Ndaj duhet reflektuar seriozisht, duke çuar zakone të tilla njëherë e mirë në muze. Ndërsa në institucione dënimi të shkojnë dhe aty të mbeten të gjithë ata që gruan e konsiderojnë pronën e tyre, apo e sundojnë sepse mendojnë se munden. Barazia nuk është lojë fjalësh, por jetësore për çdo qenie njerëzore duke i dhënë vlerë qenies dhe jo gjinisë.

/l.k./

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest