Qeveria “Rama II”, 5 plane veprimi pa Ministri të Mirëqenies Sociale

1mmsr

Qeveria “Rama II” e prezantuar dy ditë më parë, do të ketë 6 ministra më pak krahasuar me kabinetin e mëparshëm. Mes surprizave të shumta të qeverisë së re vjen edhe shkurtimi i drejtorive rajonale të mjedisit, shëndetësisë, arsimit dhe shërbimit social, nga 12 që janë tani, do të bëhen vetëm 4 në të gjithë vendin. Një ndër ministritë që do të shkurtohet është ajo e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila do të ndahet në dy pjesë mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe asaj të Shëndetësisë.

Pesë plane veprimi, por asnjë ministri që do t’i zbatojë:

MMSR e drejtuar fillimisht nga Kryetari aktual i Bashkisë Erion Veliaj e më pas nga Blendi Klosi, ishte një ndër prioritetet e qeverisë “Rama I”. Gjatë këtij katër vjeçari ky institucion ka hartuar 3 plane kombëtare veprimi në bashkëpunim me organizma ndërkombëtarë dhe organizata të shoqërisë civile. Shto këtu edhe 2 strategji kombëtare në lidhje me punësimin dhe sigurinë në punë:

  1. Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve në Republikën e Shqipërisë, 2016-2020

I cili ka një sërë objektivash për këto dy komunitete mes të cilave nxitjen e përfshirjes sociale, trajtimin e çështjeve të përjashtimit dhe sigurimin e aksesit të barabartë në shërbime. Vetëm nga buxheti shtetit janë parashikuar të shpenzohen 3.1 milionë euro për këtë plan veprimi.

  1. Plani Kombëtar i Veprimit për Rininë, 2015 – 2020

Plan i cili ka për qëllim “zhvillimin dhe koordinimin e politikave ndërsektoriale rinore në edukim, punësim, shëndetësi, kulturë dhe forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën shoqërore dhe proceset vendimmarrëse”.  Vetëm nga buxheti i shtetit janë parashikuar 2.8 milionë euro për aktivitetet e tij.

  1. Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI në Republikën e Shqipërisë, 2016-2020

Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri 2016-2020, i cili synon përmirësimin e jetës së këtij komuniteti nëpërmjet implementimit të politikave dhe strategjive për sigurinë, mbrojtjen, aksesin në shërbime. Ky plan kombëtar supozohet të ketë një buxhet prej 2.2 milionë euro.

  1. Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014 – 2020

E cila ka si objektiv kryesor identifikimin dhe skicimin e politikave nxitëse të punësimit dhe formimit profesional në vend. Në këtë strategji janë parashikuar 2.3 milionë euro nga buxheti i shtetit për implementimin e aktiviteteve të parashikuara në vitet 2014 – 2020.

  1. Dokumenti Politik për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë 2016 – 2020

Ky plan mbështet vizionin e qeverisë për “promovimin e një mjedisi pune të shëndetshëm dhe të sigurt dhe eliminimin e sëmundjeve profiesionale dhe aksidenteve në punë”. Në këtë dokument ky projekt cilësohet “nën patronazhin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”. Për zbatimin e të cilit vetëm nga buxheti i shtetit janë parashikuar të shpenzohen 10.3 milionë euro.

Por ajo që ndoshta shumë prej nesh pyesin veten me ndryshimet e reja të Qeverisë “Rama II” është: Çfarë do të ndodhë me planet e veprimit dhe strategjitë tani që nuk kemi Ministri të Mirëqenies Sociale?

Shkrirja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale është një hap mbrapa në zbatimin e këtyre planeve strategjike, të cilat edhe kur ky institucion ishte ende “gjallë” kishin probleme të theksuara që nga hartimi e deri tek zbatimi.

Megjithatë në të gjithë këto dokumente theksohet qartë se Ministria e Mirëqenies sociale është hartuesi dhe përgjegjësi kryesor për implementimin e qindra aktiviteteve të parashikuara në secilin prej tyre.

A është shkrirja e MMSR një tregues se këto iniciative janë zhvendosur jashtë vëmendjes? Kjo mbetet për tu parë. Por ajo që dimë është se në katër vitet që lamë pas, u bë shumë pak për arritjen e objektivave të parashikuara në këto 5 strategji, të cilat do ta kenë akoma më të vështirë të çohen përpara me ministrinë e re të ndarë në dy pjesë mes Shëndetësisë dhe Financave.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest