Çdo tre ditë një mjek kërkon të largohet nga Shqipëria

shendetsia-1

Çdo tre ditë një mjek kërkon të largohet nga Shqipëria. Vetëm këtë vit janë 125 mjekë që kanë tërhequr dokumentet që ju duhen për tu regjistruar në urdhrat profesional jashtë vendit, bën të ditur Presidenti i Urdhrit të Mjekut për TVSH.

“Vitin e kaluar ne e mbyllëm më 145 ndërsa sivjet jemi tek 125 kërkesa, pra pak a shumë po vazhdohet me të njëjtin ritëm”, tha për TVSH-në Prof. Dr. Fatmir Brahimaj. Shkaqet sipas tij mbeten kushte më të mira pune dhe vlerësimi si dhe siguri më të lartë mbrojtje nga legjislacionet e vendeve perëndimore.

“Ata shkojnë për një jetë më të mirë, për një vlerësim më të mirë moral dhe material, për mundësi më të mira të rritjes në karrierë. Në vendet ku shkojnë pretendojnë, dhe realisht gjejnë, një teknologji më të avancuar dhe kanë më shumë mundësi të bëjnë një mjekësi bashkëkohore. Ndihen më të sigurt në lidhje me mbrojtjen nga legjislacioni. Kini parasysh krizën e besimit që vuajnë bluzat e bardha në vendin tonë apo edhe nevoja që ekziston për ndryshime ligjore.” 

Cilat janë kategoritë e mjekëve që po largohen?

Presidenti i Urdhërit të Mjekut bën të ditur se përgjithësisht janë mjekë të rinj të përgjithshëm që po largohen nga Shqipëria. Por edhe numri i pakët i mjekëve specialist që largohen është shumë problematik pasi ata lënë një boshllëk që është vështirë të plotësohet duke pasur parasysh nevojën që ka vendi ynë për specialistë.

Gjermania mbetet vendi më i preferuara pasi edhe aksesi në shërbimin shëndetësor gjerman është më i lehtë, për shkak se ky vend i njeh të gjitha diplomat dhe kualifikimet që kanë bërë mjekët në çfarëdo vendi.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest