Qendra Shëndetësore e Kamzës; Ku shkuan 840 milionë lekët e rikonstruktimit?

Kamza

Një artikull i portalit Pro Pacientit tregon si qendra shëndetësore e Kamzës, edhe pas një investimi prej 840 milion lekësh mbetet larg standardeve më minimale.

Kjo qendër shëndetësore, pavarësisht numrin të lartë të popullsisë që mbulon ka mungesa në infrastrukturë, burime njerëzore dhe materiale mjekësorë, e për pasojë banorët e Kamzës detyrohen t’i drejtohen QSUT për çdo shërbim.

“Edhe për një serum banorët e Kamzës vijnë në QSUT”, raporton Pro Pacientit, duke ilustruar faktin se banorët e Kamzës detyrohen të shkelin rregullat e sistemit të referimit pasi nuk kanë mundësi të marrin shërbimin shëndetësor.

840 Milion Lekë për rikonstruktimin e Qendrës Shëndetësore në Kamëz

Në maj të këtij viti, qytetarët e Kamzës morën premtimin se shërbimi shëndetësor do të merrte një tjetër fytyrë. Ministria e Shëndetësisë deklaroi në dhjetor 2016 se janë vënë në dispozicion 640 milion lekë për rikonstruksionin e godinës dhe 200 milionë lekë për paisje mjekësore.

Ministri i Shëndetësisë së asaj kohe Ilir Beqja u shpreh midis të tjerash se “në maj të vitit të ardhshëm qytetarët e Kamzës(pra në 2017-n) këtu të kenë një Qendër Shëndetësore dinjitoze për të plotësuar nevojat e kujdesit shëndetësor parësor që të mos shkojmë në mënyrë të panevojshme në spitalet e Tiranës”.

A u mbajt premtimi?

Në ditët e para të qershorit të 2017-s u bë inaugurimi i ambienteve të qendrës shëndetësorë të Kamzës. *Edhe pse në statut ky institucion mban emrin Qendër Shëndetësore, për shkak të numrit të lartë të popullsisë që mbulon dhe specialiteteve që ka, qytetarët dhe vetë mjekët e konsiderojnë spital.

Ditën e inaugurimit nuk pati një njoftim zyrtar për median. çka do të thotë askush nuk pati mundësinë të komentonte apo të pyeste rreth efikasitetit të atij investimi.

A ofrohet sot shërbim dinjitoz në Qendrën Shëndetësore të Kamzës?

Një investim kaq i madh dhe i sapo kryer sigurisht që ngjall shpresat e qytetarëve që diçka ka ndryshuar. Ajo diçka përkthehet në krijimin e kushteve për ofrimin e shërbimit shëndetësor minimal: disa analiza, disa ekzaminime imazherike dhe materiale mjekësore për mbulimin e urgjencës.

Ashtu siç edhe ishte parashikuar, i gjithë ai investim rezultoi thuajse nul. Pamja e Qendrës në brendësi vazhdon të jetë e njëjta. Shtretërit janë po ato që kanë qenë, të vjetër e të ndryshkur. (Pamjet vijnë nga qytetarët e Kamzës). Shumë analiza nuk kryhen për shkak të mungesës së kiteve. E shumë ekzaminime vazhdojnë të mos bëhen për shkak të mungesës së aparaturave.

/l.k./

Burimi: Pro Pacientit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest