Një vit nga vdekja e Arditit – Pyetje të mbetura pa përgjigje

proku1

Si sot një vit, 17-vjeçari Ardit Gjoklaj u vra në landfillin e Sharrës. Vdekja e tij ka ngritur pikpyetje të shumta, që as sot një vit më vonë, nuk kanë marrë përgjigje.

Kush mban përgjegjësi për faktin se një i mitur u lejua të punojë në landfill, turnin e tretë, pa minimumin e kushteve të sigurisë?

Deri më tani janë dy persona që janë përballur me drejtësinë për vdekjen e Ardit Gjoklajt: Dëfrim Hakrama – përgjegjës turni në kompaninë “3R” që menaxhonte përpunimin e mbetjeve dhe Edmond Kollari – personi që drejtonte fadromën që i mori jetën 17- vjeçarit Gjoklaj.

A janë vënë përpara përgjegjësisë fajtorët e vërtetë?

Kompania “3R” është paraqitur si një ndërmarrje e përbashkët Bashki – Privat, e prezantuar nga vetë kryetari i Bashkisë i cili premtonte sigurime, kushte pune dhe pagë dinjitoze.
Por dëshmitë e publikuara në emisionin “Publicus” tregojnë të dhëna tronditëse mbi atë çka ka ndodhur në landfillin e Sharrës, të cilat ngrenë disa pyetje:

 A mundet që një kompani të punësojë në të zezë mbi 50 fëmijë e të mitur, madje edhe të moshës 10 vjeç, pa dijeninë e pronarëve dhe bashkëpronarëve?

A mundet që një kompani të ketë rreth 300 persona të pasiguruar që punojnë në kushte primitive, pa banjo e pa ujë dhe pronarët, bashkëpronarët dhe partnerët të mos kenë asnjë dijeni për këtë?

A është normale që një i mitur të punojë turnin e natës, i pasiguruar dhe të vdesë i shtypur nga një fadromë dhe pronarët, bashkëpronarët e partnerët të mos mbajnë asnjë përgjegjësi?

Fajtorët e vërtetë në këtë histori nuk janë e as nuk mund të jenë përgjegjësi i turnit dhe drejtuesi i fadromës, të punësuar në të njëjtën fabrikë vdekje si Arditi i ndjerë. Ata janë ende të lirë, e na paraqiten si pronarë biznesesh që shtojnë fitimet çdo ditë apo si vendimarrës publik që na paraqesin sukseset e arritjet e rradhës, deri ne skandalin e tjetër, viktimë e të cilit mund të jetë kushdo.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest