Inkuizicioni i gruas në median shqiptare

Tituj_7

 

Një video e publikuar disa ditë më parë në një emision televiziv na tregoi edhe një herë se media ende vesh rolin e “gjuetares së shtrigave” kur në qendër të historisë janë gratë dhe morali.

Video e publikuar në emisionin “Me zemër të hapur”, pretendon të përcjellë imazhet e një gruaje që kryen marrëdhënie seksuale jashtëmartesore në praninë e fëmijëve. Ajo është realizuar nga kunata dhe vjehrri i gruas së akuzuar, me kërkesë të bashkëshortit të kësaj të fundit i cili prej 4 vitesh jeton në SHBA.

Familjarët e dhëndrit i bëjnë thirrje institucioneve nëpërmjet medias se kujdestaria prindërore duhet t’iu hiqet nënës së tyre, “të padenjë” për të rritur fëmijët e saj.

Por duket se interesi për mirëqenien e fëmijëve nga ana e personave që realizuan videon nuk ishte në plan të parë pasi gjatë videos dëgjohen klithmat ë fëmijëve pasi mamaja e tyre filmohet nga kunati dhe vjehrri i saj, madje në video shihet nëna të goditet prej tyre. Xhirimi vazhdon edhe pse fëmijët traumatizohen. Kjo video me praninë e fëmijëve në të është një shkelje e dyfishtë për median shqiptare, duke shkelur rëndë normat etike të gazetarisë. Duket qartë dëshira për të nxitur urrejtje tek fëmijët për nënën.

Dështimit të institucioneve dhe shërbimeve sociale për rastin në fjalë  iu bashkua dhe media, e cila shumë larg funksionit edukues solli një denigrim të figurës së nënës si edhe përdorimit të fëmijëve nëpërmjet publikimit të kësaj videoje.

Tituj_7

Stuhia mediatike pas emisionit solli vërshimin e komenteve fyese deri në kërcënime me vdekje për nënën në fjalë. Titujt e artikujve nga portalet online flasin më tepër për stigmatizimin e gruas në video. Mediat dëshmuan edhe një herë se bien pre e një mentalitet maskilist, ku tradhtia bashkëshortore është e pafalshme, madje diku doli se qenka dhe kundërvajtje ligjore nëse gruaja e kryen këtë akt. Gjatë emisionit u artikulua se ekspertiza mjeko-ligjore mbi fëmijët nuk ishte kryer, duke treguar mungesë serioziteti nga ana e medias në publikimin dhe daljen në konkluzione të nxituara.

Historia morri një kthesë tjetër kur nëna e dy fëmijëve doli në puntatën e dytë të emisionit, ku foli hapur për një video të inskenuar nga familjarët e bashkëshortit të saj, aludim për një lidhje intime të bashkëshortit të saj në SHBA dhe braktisjen që ky i  fundit i ka bërë asaj dhe dy fëmijëve. Gjatë emisionit ajo tregoi se kriza në këtë familje ka nisur para 7 muajsh, kur kjo video ka qarkulluar në rrjetet sociale e megjithatë mbrojtjes për nënën duket se ka munguar pavarësisht imazheve të qarta të dhunës.

 

Për Historia Ime në një intervistë rreth portretizimit të gruas në media  Irena Shtraza, Psikologe & Aktiviste e të drejtave të vajzave e grave, menaxhere programi pranë AWEN, rrjet i fuqizimit të gruas në Shqipëri .

Si e gjykoni publikimin e një materiali të tille në media, nisur nga fakti se videoja u publikua jo vetëm në rrjete sociale por edhe në një televizion kombëtar?

Fatkeqësisht nuk është hera e parë që media publikon materiale të ngjashme që kanë në fokus histori ku nderi i vajzës apo gruas është tema kryesore, ku nuk merren fare parasysh elementë shumë të rëndësishëm, si të drejtat e saj, apo ato të fëmijëve të saj, gjë që është akoma më e rëndë. Duhet pranuar me keqardhje se mediat shqiptare janë akoma larg standardeve etike dhe profesionale që duhet të kenë lidhur me raportimin e problematikave gjinore në media. Çfarë e bën akoma më të trishtë këtë rast, është që pre e dëshirës për më shumë audiencë ranë edhe media kombëtare dhe jo vetëm portalet online që këtë lloj qasjeje e kanë kthyer në praktikë të përditshme. Nuk është aspak e çuditshme që reagimet e opinionit publik ishin të formave nga më të rëndat, kryesisht duke kryqëzuar gruan, e cila në këtë rast është viktima e një padrejtësie të rëndë. Përfshirja e fëmijëve në atë çfarë u publikua e rëndon pozitën e saj në sytë e opinionit publik dhe e ‘legjitimon’ shprehjen e komenteve e opinioneve të rënda kundrejt saj.

Është e patolerueshme që media të vazhdojë të bëhet pjesë e këtyre lajmeve ‘spektakolare’ që përveçse nuk i përcjellin asnjë mesazh edukues apo informues publikut, shkelin me dy këmbë të drejtat e njeriut dhe njëkohësisht ushqejnë stereotipet gjinore në shoqërinë tonë patriarkale.

Si e shihni qëndrimin e organizatave për te drejtat dhe fuqizimin e gruas karshi këtij rasti? Duke qenë se nuk është rasti i pare ku figura e gruas stigmatizohet, ju çfarë sugjeroni në lidhje me lobimin nga ana e organizatave për mbrojtjen e figurës se gruas?

Gazetarët/et, ashtu si të gjithë në, janë pjesë e kësaj shoqërie dhe pre e këtij mentaliteti. Të ndikuar nga vlerat, normat, e rregullat sociale,

Irena Shtraza
Irena Shtraza

raportimet e tyre në disa shkrime u njohin burrave disa “të drejta” që ua njeh shoqëria tradicionale shqiptare. Mes këtyre të drejtave, u njohin të drejtën për të ushtruar dhunë mbi anëtarët e tjerë të familjes, kryesisht ndaj gruas, të drejtën për t’ju imponuar anëtarëve të tjerë të familjes pikëpamjet dhe zgjedhjet e tyre jetësore, të drejtën për të përcaktuar marrëdhëniet shoqërore të anëtarëve të tjerë të familjes kryesisht të vajzave, të drejtën për të trajtuar vajzën dhe gruan si pronë, nderi i të cilës është i shenjtë dhe “prishja” e nderit është një krim i rëndë që duhet dënuar në një mënyrë apo një tjetër (qoftë edhe me publikimin e videove si kjo), shpesh edhe me vrasje, etj. Lista është e gjatë.

Organizatat e shoqërisë civile që mbrojte të drejtat e grave kanë qenë gjithmonë të ndërgjegjshme për sa më lart. Ndër vite është punuar me profesionistë të mediave për t’i ndërgjegjësuar lidhur më këto problematika dhe rolin e tyre të rëndësishëm në ndryshimin e kësaj qasjeje diskriminuese e gjymtuese për vajzat dhe gratë, si dhe për gjithë shoqërinë. Me qindra gazetarë janë trajnuar rreth mënyrave të raportimit me ndjeshmëri gjinore dhe profesionalizëm dhe është vërejtur një ndryshim i lehtë mes atyre që kanë qenë pjesë e këtyre nismave. Por sfida mbetet e madhe, pasi siç thamë, gazetarët/et janë pjesë e shoqërisë tonë patriarkale, ku gëlojnë pabarazitë gjinore, ku vajza e gruaja janë gjithnjë të diskriminuara, në çdo fushë apo sektor të mundshëm.

Pa dashur të justifikojmë mungesën e profesionalizmit, kur rritesh në një kontekst të tillë social e kulturor, është sfiduese të vësh lentet gjinore kur raporton. Sidoqoftë, organizatat e grave duhet të vazhdojnë të punojnë fort e në vazhdueshmëri për ta ndryshuar këtë realitet, pasi media është një aleat shumë i rëndësishëm në përpjekjet për përmirësimin e pozitës së gruas në familjen e shoqërinë shqiptare. Ka disa modele pozitive gazetarësh/esh që raportojnë më profesionalizëm e ndjeshmëri gjinore dhe ata/ato duhet të jenë aleatët tanë kryesorë.

Në lidhje me raportimin e medias për raste të ngjashme, nisur nga puna juaj, si e gjykoni profesionalizmin e gazetarëve në trajtimin e këtyre çështjeve?

Mungesa e profesionalizmit të mediave vihet re sidomos në raportimin e rasteve të dhunës ndaj grave, të cilat raportohen në elementët e tyre konfliktualë, por shumë rrallë trajtohen me kontekstin shoqëror. Problematik paraqitet sidomos raportimi i trafikimit të vajzave dhe grave për qëllime prostitucioni, të cilat janë viktima trafikimi, por shpeshherë media raporton me një qëndrim fyes ndaj tyre duke i quajtur ‘prostituta’, duke  publikuar detaje rreth identitetit të tyre, etj, pa vënë fokusin aty ku duhet, duke mos na thënë asgjë për fajtorin, për rrethanat, duke mos bërë asnjë lloj analize që  mund ta bëjë lexuesin të kuptojë më mirë se çfarë ka ndodhur, pa stimuluar reagime primitive dhe diskriminuese. Qëndrimet diskriminuese ndaj vajzave e grave i hasim kudo, në kronikat e lajmet që mbulojnë politikën, ekonominë, kulturën, sportin, etj.

Përpos informimit, mediat kanë një rol shumë të rëndësishëm edhe në edukimin e publikut. Mediat shqiptare nuk e vlerësojnë shumë këtë rol ose më saktë nuk e kanë ende vetëdijen e një misioni të tillë. Meqë media sjell çështje të ndryshme në vëmendje të opinionit publik dhe shpesh vendos parametra për debatet publike, media mund të jetë një mjet i dobishëm në zgjidhjen e një sërë problemesh gjinore. Prandaj është thelbësore sigurimi i një perspektive gjinore në mënyrën se si media është pozicionuar.

* Kristina Millona

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest