​Blog: ”Sindroma vjehrra”

mother-in-law-sins

/Foto Ilustruese

Jo vetëm në vendin tonë por në të gjitha ato shoqëri patriarkale, ekziston një dukuri e cila gjendet në shumë familje ku në mënyrë figurative mund të quhet “sindroma vjehrra”. Kjo sindromë shoqërohet me elemente të tillë si: kërkon autoritet absolut nga nusja e re, do të zotërojë të drejtë të pakundërshtueshme nga ajo, jep urdhëra dhe cakton rregulla të çdo aspekti familjar dhe personal të pjesëtarve të familjes.

Nisur nga parimi i prapambetur që vajza lind në shtëpi të huaj dhe shkon në shtëpi të vetë, tregon se gjinia femërore diskriminohet që në lindje. Edhe nëse do e merrnim pozitive këtë shprehje mund të theksojmë se edhe kur martohet, vajza, shpesh nuk gjen frymën që duhet në familjen e re. Familja patriarkale ka një hierarki të tillë ku burri është komandati i familjes ndërsa më pas vjen gruaja ku më së shumti merr pushtet kur ajo bëhet e vjetër dhe menaxhon marrëdhëniet me familjarët. Ndaj kur në shtëpi vjen nusja e re, ajo duhet të zbatojë një sërë rregullash të cilat ndonjëherë mund të jenë edhe absurde. Problemi qëndron se jo pak herë ndodh që kjo vajzë që u bë nuse, kthehet

Marsida Simo
Marsida Simo

automatikisht në shërbëtoren e shtëpisë, ul kokën dhe bindet pa fjalë. Madje njihen raste të vajzave që martohet fare të vogla apo ku burri i saj mund edhe të mos jetë prezent pasi eshtë emigrant.

Kjo dukuri shtypëse për nusen e re është më e theksuar në zonat rurale, ku jo vetëm trashëgohet kjo “sindromë”, por pritet të jetë dhe diçka normale. Vjehrra pret që të thërritet mama, të respektohet dhe të ketë pushtet të vetëm. Ndër të tjera zonja e shtëpisë është dhe do të mbetet mamaja e djalit.

Edhe nëse vjehrra e sotme ka qenë e shtypur dikur nga mamaja e burrit të saj, ajo sot nuk vepron ndryshe. Shoqëria maskiliste e ka bindur se kjo është fati i çdo gruaje. Por nuk mjafton me kaq sepse ka dhe raste shumë më negative të cilat nuk do t’i njihnim dhe as nuk do t’i besonim që ekzistonin  nëse nuk do na e  prëzantonte media. Vjehrra që nuk e lejojnë nusen të takojë fëmijën pas divorcit me burrin, dhunë dhe agresivitet midis të dyjave, tentativë ose vrasje të njërës palë kundrejt tjetrës…

Kurimi i “sindromës vjehrra” do shumë dekada që të shohi përmirësim. Por progresi nuk mund të bëhet nga hiçi. Së pari duhet kuptuar qartë që fëmijët si djemtë dhe vajzat kur rriten duhet të krijojnë familjen e tyre. Dashuria e prindit ndaj fëmijëve nuk mund të ketë interesa dhe shtrengime, por duhet të ketë frymë ndihmese dhe bashkëpunimi. Po ashtu me rëndësi ka dhe zhvillimi ekonomik i cili sjell pavarësi dhe zbeh konfliktet.

Së fundmi, por më e rëndësishmja është që ndryshimi dhe largimi nga dukuritë negative është edukimi dhe shkollimi. Mos i privoni bijat tuaja nga shkolla! Martesa nuk është gjëja më e rendësishme, por zgjedhje për secilin në kohën që ai apo ajo vendos ta bëjë.

* Nga Marsida Simo – Sociologe

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest