Punonjëset e Spitalit të Durrësit fajësojnë kushtet e punës për infektimin me tuberkuloz

1492505560spitali_1492511369-5826370

3 punonjëse sanitare të Spitalit të Durrësit dyshohet se janë infektuar në vendin e punës nga sëmundja e tuberkulozit. “News 24” raporton se infektimi i punonjësve ka ardhur nga kontakti me 4 pacientë që prej muajsh po mbahen të shtruar nga kjo sëmundje.

Zyber Pupla, Shefi i Dispanserisë në Durrës njëkohësisht mjek pneumolog tha për News 24 se nuk ka vend për panik, pasi kjo sëmundje është tërësisht e shërueshme dhe nuk le pasoja.

Por një prej punonjëseve të infektuara ka reaguar duke fajësuar spitalin për mosplotësimin e kushteve minimale të punës. Ajo tregon se janë 11 punonjëse që pastrojnë çdo ditë ambientet spitalore pa masa mbrojtje, ndërsa në vend të djegies së çarçafëve të të sëmurëve me turbekuloz, ato detyrohen t’i lajnë.

Çfarë është sëmundja e tuberkulozit?

Ekspertët e shëndetit publik sqarojnë se tuberkulozi është një ndër sëmundjet infektive kronike e shkaktuar nga mykobakteri më të njëjtin emër.

Sëmundja prek më shpesh mushkëritë, por nuk përjashtohet shfaqja edhe në organe të tjera, si truri, kockat, gjëndrat limfatike, zemra, lëkura, teksa prek edhe gjakun. Transmetohet nga kontakti direkt me piklat respiratore të një personi që është i sëmurë me formën polmonare aktive të sëmundjes dhe pas kësaj duhet një periudhë inkubacioni prej 2­10 javësh deri në shfaqjen e simptomave të dukshme. Identifikimi i simptomave ndryshon në varësi të aparatit ku shfaqet sëmundja.

Aktualisht, në vendin tonë një ndër format e parandalimit është vaksinimi. Sipas ISHP-­së, vaksinimi antituberkular është i detyrueshëm dhe aplikohet që në lindje, por nuk duhen neglizhuar as këshillat e tjera që kanë të bëjnë me stilin e jetesës, përdorimin e kujdesshëm të medikamenteve dhe kryerjes së kontrolleve të hershme.

Nuk dihet nëse tri gratë e prekura, të cilat angazhohen si sanitare pranë repartit Infektiv në Durrës, janë apo jo të vaksinuara në fëmijëri. Shumica e njerëzve të prekur nga infeksioni nuk zhvillojnë shenja klinike për një kohë të gjatë. Në këtë rast, sëmundja cilësohet si tuberkulozi i fshehur. Nëse këta persona nuk zbulohen dhe nuk trajtohen, sëmundja merr karakter agresiv, e mund të çojë deri në pasoja fatale për jetën në rreth 50 për qind të personave të prekur.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest