Në librat e psikologjisë të Universitetit të Tetovës, mësohet se HIV vjen nga personat LGBT dhe narkomanët

LGBT-United-Tetovo-logo

Koalicioni DSSHBM dhe organizata LGBT Junajted Tetovë kanë përshëndetur vendimin e Avokatit të Popullit në Maqedoni se në librat e psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, kanë përmbajtje diskriminuese ndaj personave LGBT dhe të sëmurëve me HIV.

Në librat “Psikopatologjia te fëmijët dhe të rinjtë” nga autorja Gordana Stankovska dhe “Psikologjia mjekësore” e autorëve Gordana Stankovska dhe Myqereme Rusi thuhet se homoseksualiteti është çrregullim psiko-social, mund të mënjanohet apo se virusi HIV është i lidhur me personat LGBT dhe narkomanët.

Autoret pohojnë se “Veprimet homoseksuale në pubertet dhe rini duhet t’i kuptojmë si çrregullime në identitetin psiko-seksual…”. Ndërsa për virusin HIV shkruajnë se “menjëherë pasi u zbulua, sëmundja AIDS është e lidhur me ekzistimin e dy grupeve të njerëzve me rrezikshmëri: homoseksualët dhe narkomanët, të cilët drogohen në mënyrë intravenoze.”

Avokati i Popullit, pasi ka shqyrtuar rastet i është drejtuar Këshillit Edukativo-Shkencor të Fakultetit Filozofik pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, me rekomandimin se institucioni duhet të përmbajë tekste që janë në pajtim me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për temën në fjalë. Përgjigja e marrë nga fakulteti ishte se “librat e publikuar dhe ndihmesat mësimore janë botuar në kohën kur është përdorur terminologjia e cekur, e cila ka të bëjë me zhvillimin psiko-seksual dhe çrregullimet e tija”.

Por kjo deklaratë është hedhur poshtë nga organizata LGBT Junajted pasi librat janë botuar në vitin 2006 dhe 2011, ndërsa homoseksualiteti është hequr nga lista e sëmundjeve nga Organizata Botërore e Shëndetit që prej vitit 1990. Koalicioni DSSHBM dhe organizata LGBT Junajted, kanë deklaruar se thëniet mbështeten në botëkuptime të vjetra, të cilat janë hequr nga përdorimi shkencor që prej shumë kohësh.

Për situatën kanë reaguar edhe autoret e librave të lartpërmendur duke thënë se “do të korrigjohen të gjitha lëshimet, ashtu që do të pranohen të gjitha propozimet dhe sugjerimet e Avokatit të Popullit, me çka terminologjia dhe qëndrimet të cilat nuk përputhen me standardet dhe dokumentet më të reja ndërkombëtare për këto kategori të personave, do të hiqen ose të zëvendësohen në mënyrë adekuate…”. /m.g/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest