Vjen goditja finale për Call Center; Çfarë do të ndodhë me 25 mijë të punësuarit?

call-center

Vjen nga Italia goditja e madhe për call center, 13 kompani të mëdha italiane nuk do të sjellin më punë në Shqipëri.  Ato janë angazhuar me qeverinë italiane, që 80% të kontratave të reja t’i japin tek të tretët në Itali, pasi kanë firmosur sot një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e zhvillimit ekonomik Carlo Calenda.

Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastëeb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia do të tërhiqen nga call centerat Shqiptar.

“Marrëveshja  parashikon që 95% e aktiviteteve që kryhen direkt të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe në kontratat e të reja, të paktën 80% e vëllimeve outsourcing të kryhen në territorin italian”, raporton Il Sole 24 ore.

Po çfarë do të ndodhë tani në sektorin e call center në Shqipëri, aktiviteti i të cilit është ngushtësisht i lidhur me kontratat që u sjellin operatorët italianë dhe që ka rreth 25 mijë të punësuar?

Aktualisht situata mbetet e paqartë, operatorët që operojnë në Shqipëri janë në pritje të asaj çfarë do t’u thonë kontraktorët e tyre, raporton Monitor. 20% e shërbimeve që mund të transferohet, vlerësohet se do shkojë drejt Rumanisë, jo në Shqipëri.

Operatorët e mëdhenj mësohet se kanë regjistruar kompani në Rumani, që prej dhjetorit kur parlamenti italian kaloi ligjin me masat shtrënguese. Duke qenë brenda BE-së, Rumania është një opsion i mirë për t’ju shmangur kufizimeve dhe masave shtrënguese.

Në total, në sektor në Shqipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave zyrtare. Por, të dhënat e punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se janë 6-7 kompani kryesore, që kanë së bashku rreth 10 mijë të punësuar.

Sipërmarrjet e mëdha vlerësohet se do të arrijnë t’i bëjnë ballë presionit italian dhe do të diversifikohen drejt shërbimeve të tjera si Arb marketing apo Forex, ndërsa kompanitë e vogla mund të përballen me shumë vështirësi.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest