Qeveria nuk tërhiqet nga hidrocentrali i Poçemit

Vjosa

Një ditë më parë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi të ndalojë ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Vjosë, por Ministria e Energjisë do e ankimojë këtë çështje në Shkallën e Dytë, për të kërkuar ndërtimin e tij.

Burime nga ky institucion kanë thënë për TV Klan se nuk janë të kënaqur me vendimin dhe se sipas tyre gjykata nuk ka shfuqizuar asnjë procedurë të kësaj ministrie, por ka shfuqizuar vetëm dhënien e lejes mjedisore që është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit.

Por shfuqizimi i lejes mjedisore bën rrjedhimisht të pavlefshëm aktet administrative të Ministrisë së Energjitikës, si edhe vetë kontratën koncensionare të lidhur mes qeverisë shqitare dhe kompanisë turke KOVLU ENERGJI.

Gjykata pranoi dje padinë e banorëve dhe organizatave që mbështetej në këto pika:

  • Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) ishte i papërshtatshëm, sepse gjatë hartimit të këtij raporti të paraqitur nga kompania dhe të miratuar nga Ministria e Mjedisit, nuk janë ndërmarrë studime në terren.
  • Konsultimi me publikun ishte i dyshimtë, pasi komuniteti i prekur nuk ka marrë pjesë. Shumica e pjesëmarrësve ishin punonjës të administratës publike të Fierit, i cili ndodhet 80 km larg nga zona e prekur.
  • Raporti nuk përmban të dhëna në lidhje me prezencën e specieve apo ndikimeve të mundshme në ujërat nëntokësore.
  • 60% e përmbajtjes së VNM-së është plagjiaturë ose e kopjuar nga raporte që nuk kanë lidhje me hidrocentralin.

Tenderi i dyshimitë: Dëm i parekuperueshëm mjedisor ose përballje me arbitrazhin 

Historia e shumëdebatuar e dhënies së tenderit për këtë projekt nis nga premtimi i Kryeministrit Rama gjatë fushatës elektorale për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe ndalimin e zhvillimit të hidroenergjisë.

Por në prill të vitit 2016 firma turke KOVLU ENERGJI fitoi tenderin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, ku ishte e vetmja pjesëmarrëse. Një vit më parë Këshilli i Ministrave i kishte dhënë kësaj kompanie një bono prek 8% për këtë projekt, sipas formulës së “ofertës së pakërkuar”.

Por tani, pas shpalljes së paligjshme nga gjykata, qeveria duket se i trembet kërcënimit nga një Arbitrazh me firmën turke duke u detyruar që të kërkojë ndërtimin e HEC-it në të gjitha hallkat e gjyqësorit.

Burime për Televizionin Klan thanë se ende nuk kanë marrë një njoftim nëse shoqëria do t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, por ata mund të kërkojnë fitimin e munguar nga vepra dhe dëmshpërblim për shpenzimet që kanë bërë deri më sot për projektin.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest