Banorët dhe aktivistët fitojnë gjyqin kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit

image_2017_05_02_19

Gjykata Administrative e Tiranës shpalli dje vendimin kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit.

Pas një sërë protestash, aktivistët dhe qytetarët nisën një vit më parë luftën ligjore kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosa. 38 banorët e fshatit Kutë të Mallakastër të mbështetur nga organizata EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, paraqitën ankesat e tyre dhe fituan dje të parën çështje mjedisore në një gjykatë shqiptare.

Bazat e padisë kundër ngritjes së hidrocentralit të Poçemit:

  • Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) ishte i papërshtatshëm, sepse gjatë hartimit të këtij raporti të paraqitur nga kompania dhe të miratuar nga Ministria e Mjedisit, nuk janë ndërmarrë studime në terren.
  • Raporti nuk përmban të dhëna në lidhje me prezencën e specieve apo ndikimeve të mundshme në ujërat nëntokësore.
  • 60% e përmbajtjes së VNM-së është plagjiaturë ose e kopjuar nga raporte që nuk kanë lidhje me hidrocentralin.
  • Konsultimi me publikun ishte i dyshimtë, pasi komuniteti i prekur nuk ka marrë pjesë. Shumica e pjesëmarrësve ishin punonjës të administratës publike të Fierit, i cili ndodhet 80 km larg nga zona e prekur.

Gjykata vendosi kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë e cila dha koncesionin kompanisë turke dhe Ministrisë së Mjedisit e cila ka pranuar një VNM të pavlefshme duke lëshuar deklaratën mjedisore që i hapte rrugë ndërtimit të projektit.

Sipas një koalicioni të gjerë të Organizatave Mjedisore ndërkombëtare ndërtimi i digave në Poçem dhe Kalivaç si dhe hidrocentraleve të vegjël në degët e Vjosës, do t’i jepte fund vizionit për një Park Kombëtar në rrjedhën e Vjosës.
Së fundmi disa eurodeputetë i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të rishikojë projektet hidroenergjetike përgjatë lumit Vjosa dhe të hartojë Planet e Ndikimit në Mjedis përpara se projektet të vihen në zbatim.

Për të mbrojtur biodiversitetin e Vjosës  më shumë se 200 shkencëtarë i ishin drejtuar me një letër kryeministrit për të ndalur këto projekte.

/l.k./

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest