Rëndësia e shërbimit psiko-social në institucionet parashkollore

kopshtet e tiranes

*Nga Elona Hasko

Në ditët e sotme, po flitet gjithnjë e më shumë për përfshirjen e fëmijëve në edukim, që në fëmijërinë e hershme, sepse ndihmon veçanërisht zhvillimin gjuhësor dhe aftësitë sociale të fëmijëve. Studimet na thonë se, përfshirja në edukimin e hershëm, sidomos e fëmijëve, që vijnë nga shtresat në nevojë, nga shtresa e familjeve vulnerable, nga minoretet, etj, zbut varfërinë, ul diskriminimin dhe pabarazinë dhe e përmirson statusin e këtyre fëmijëve në të ardhmen. Sipas rekomandimeve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare që operojnë në fushën e shëndetit, zhvillimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, shtetet kudo në botë, po ndërtojnë apo përmirsojnë edukimin dhe sistemin parashkollor.

Përveç shtimit të institucioneve parashkollore dhe ofrimit apo përmirsimit të programeve të edukimit dhe të shërbimit të përkudesjes ndaj fëmijëve 0-6 vjeç, është mjaft i rëndësishëm edhe shërbimi psiko-social, sidomos në drejtim të zbulimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe të ndërtimit të programeve të posaçme për përshtatjen apo integrimin e tyre në këto institucione.

Në institucionet parashkollore publike të vendit tonë, ashtu si edhe në të gjithë sistemin parauniversitar, ofrohet shërbimi psiko-social, që përfshin ofrimin e shërbimeve psikologjike dhe sociale nga psikologët dhe punonjësit socialë. Ky shërbim, ofrohet edhe në çerdhet e Bashkisë Tiranë, si një shërbim që vazhdon ende, të jetë unik për të gjithë Shqipërinë.

Puna e psikologëve dhe punonjësve socialë pranë shërbimit psiko-social në çerdhet dhe kopshtet publike mund të jetë shumëplanëshe. Depistimi dhe zbulimi i rasteve të fëmijëve me nevoja të veçanta është një nga detyrat kryesore të psikologëve. Kjo gjë, i jep psikologut një rol të rëndësishëm në sistemin parashkollor, sepse zbulimi i hershëm i problemeve apo vonesave në zhvillimin konjitiv, gjuhësor, sjellor apo evidentimi i simptomave të sindromave dhe çrregullimeve të ndryshme gjatë zhvillimit në fëmijërinë e hershme, jep mundësinë e ndërhyrjes së hershme dhe ngritjes së planeve speciale terapeutike dhe edukative sipas nevojave të fëmijëve, duke ndihmuar në përmirsimin apo reduktimin e këtyre simptomave, shqetësimeve dhe çrregullimeve. Këto ndërhyrje, ndihmojnë jo vetëm stafin edukator në përkujdesjen, gjithëpërfshirjen e fëmijëve dhe përcjelljen e duhur të programit edukues, por ndihmojnë edhe prindërit të marrin informacion dhe të angazhohen që herët për t’iu ofruar fëmijëve të tyre shërbimet e duhura mjekësore, psikologjike apo fizike, sipas nevojave.

Psikologët mund të ofrojnë edhe këshillim për prindërit në menaxhimin e pasojave psikologjike dhe sjellore që sjell zakonisht informimi mbi nevojat, shqetësimet apo kufizimet që fëmijët e tyre mund të kenë përkohësisht apo që edhe mund t’i mbartin më vonë gjatë gjithë jetës. Ky shërbim ndihmon edhe familjet që mund ta kenë të vështirë për të përballuar financiarisht marrjen e këtij shërbimi privatisht. Gjithashtu, puna e punonjësit social, në drejtim të mbështetjes së prindërve, orientimit në qendrat e kujdesit të posaçëm mjekësor dhe terapeutik, si dhe në drejtim të informimit për procedurat e ndihmës financiare nga institucionet publike apo private, është një detyrë shumë e nevojshme që plotëson shërbimin psiko-social në institucionet parashkollore.

Puna e psikologëve dhe punonjësve socialë pranë kopshteve dhe çerdheve iu vjen në ndihmë, jo vetëm edukatorëve për të trajtuar edhe raste të konflikteve apo agresivitetit mes fëmijëve, por i vjen në ndihmë edhe vetë sistemit parashkollor për të parandaluar apo trajtuar raste të dhunës dhe abuzimit të stafit edukues, por edhe të vetë prindërve ndaj fëmijëve. Këshillimi më pas nga ana e psikologëve, i rasteve të tilla, qoftë me stafin edukator, qoftë me fëmijët dhe prindërit, ul mundësinë e përsëritjes së dhunës.

Psikologët dhe punonjësit socialë mund të japin një mbështetje të madhe edhe në trajnimin e stafit edukator për përmirsimin e aftësive pedagogjike duke i përshtatur ato me moshën dhe zhvillimin konjitiv, socio-emocional e fizik të fëmijëve. Trajnimi i stafit kujdestar është i nevojshëm, sidomos në çerdhe, për arsye të mungesës së programeve të studimit të posaçme për moshën 6 muaj-3 vjeç në universitetet apo shkollat e larta në Shqipëri. Një punë e lavdërueshme për trajnimin e stafit bëhet prej më shumë se 12 vjetësh nga ana e psikologëve dhe e punonjësve socialë të stafit psiko-social pranë çerdheve të Bashkisë Tiranë, përvojë që do të duhej të merrej si model edhe nga çerdhet publike në bashkitë e tjera, për të përmirsuar përkujdesjen e stafit kujdestar, përcjelljen e programeve edukuese dhe veçanërisht angazhimin e tyre në integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Një ndihmë tjetër e shërbimit psiko-social në arsimin parashkollor është edhe pjesëmarrja e tyre në hartimin e programeve edukative, pasi psikologët, por edhe punonjësit socialë, mund të ndihmojnë në përmirsimin e këtyre programeve apo teksteve për t’i përshtatur me zhvillimin moshor, gjuhësor dhe socio-emocional të fëmijëve, si dhe me praktikat më të mira europiane.

Një tjetër ndihmë e këtij shërbimi do të ishte dhe formimi i klasave prindërore që kanë të bëjnë, kryesisht, me informimin, diskutimin apo trajnimin e prindërve me informacione të sakta, të mbështetura në shkencë dhe në praktikat më të mira për përmirsimin e prindërimit. Ky është një tjetër model shumë i mirë që ofrohet nga stafi psiko-social në çerdhet publike të Bashkisë Tiranë dhe që është një ndihmë e madhe, sidomos për prindërit e rinj. Ky model, si një praktikë e mirë, do të bëhej edhe më i dobishëm nëse do të shtrihej në të gjitha institucionet parashkollore publike apo private.

/Javanews.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest