LGBTI letër Metës: Premtoni shumë e bëni pak

meta

Letra e plotë që Aleanca LGBT dhe Pro LGBT i nisën sot z. Ilir Meta:

I nderuar zoti Meta,

Siç mund të jeni në dijeni Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, dy organizatat kryesore për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri, do të organizojnë Paradën e 6-të me biçikleta të quajtur Tirana Gay (P)Ride.

Gjatë këtyre katër viteve të fundit jemi takuar disa herë në zyrën tuaj. Ju keni qenë të hapur për të dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet tona. Por me keqardhje konstatojmë se pavarësisht qëndrimit tuaj akomodues ndaj nesh, shqetësimet tona kanë rënë në vesh të shurdhër nga ana e partisë suaj. Për kujtesë, ka qenë Ministri i Drejtësisë i propozuar nga LSI z. Nasip Naço, i cili e bllokoi nismën e Ministrisë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për të amenduar nenin 163 që përkufizon konceptin e bashkëjetesës në Kodin e Familjes. Duke qenë se në jurisprudencën ndërkombëtare dhe në Kushtetutën e Shqipërisë e drejta për jetë familjare (jo përkufizimi për martesën) është një e drejtë themelore e njeriut na u duk joprofesional qendrimi i ministrit tuaj, sipas të cilit kjo (e drejtë e njeriut) “nuk është prioritet”.

Ju na premtuat se do t’i jepnit një zgjidhje kësaj çështje, zgjidhje që nuk erdhi kurrë. Më herët, po në zyrën tuaj, ishit të sinqertë kur na thatë se për ju çështjet tona janë çështje të reja por meqë në statutin e partisë suaj e theksoni rëndësinë e integrimit të vendit në BE na premtuat sërisht se do ti konsideronit me vëmendje kërkesat tona. Mirë po Ministrja tjetër juaja znj.Klajda Gjosha nuk ka folur asnjëherë publikisht për të drejtat e LGBTI që janë pjesë e prioritetit të pestë të proçesit të integrimit të Shqipërisë.

Për të gjitha sa më lart ne arrijmë në përfundimin që ju premtoni shumë por bëni pak për të mbajtur këto premtime. Prandaj ne urojmë që këtë komunikim ta konsideroni si një mundësi për të reflektuar. Urojmë t’ju shikojmë me 13 maj ora 11:00.

Me respekt,

Xheni Karaj, Drejtore e Aleanca LGBT
Kristi Pinderi, Drejtor i ProLGBT

Letra-Metes

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest